Telegrafi

PTK zbret tarifat për telefoninë fikse – thirrjet ndërkombëtare bien për 30 %

“Me kartelat me parapagim, bisedat ndërkombëtare janë 30 për qind më të lira të cilat mund të zhvillohen nga çdo telefon fiks i lidhur në rrjetin e Telekomit të Kosovës dhe konsumatori në çdo kohë mund ta dijë se sa ka shpenzuar”, tha drejtori i Telekomit të Kosovës, Hazbi Dervisholli.

Një produkt i tillë sipas Dervishollit ka kohë që përdorët në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa në vend u mundësua pas zbatimit të fazës së dytë të modernizimit të infrastrukturës telekomunikuese në kuadër të rrjetit qendror të PTK-së.

Konsumatorët për të bërë thirrje përmes kartelave fikse me parapagim duhet thirrur numrin 0 800 000, duhet shtypur numrin 12 shifror të kartelës dhe tastin #. Po ashtu, duhet shtypur PIN-i (sipas dëshirës së konsumatorit) pesë shifror dhe përsëri tastin #. Ndërsa, në fund duhet shtypur numri që dëshiron të thirret dhe tasti #.

Gjatë konferencës së mbajtur për shtyp, zyrtarët e PTK-së njoftuan se kanë ulur edhe çmimin e foltoreve publike me parapagim dhe ato me ndërmjetësues në pikat e shitjes së PTK-së.

“Ulja e çmimeve vjen si rezultat i ndryshimit të tarifave për foltoret publike: call set-up (ngarkesës për inicim të thirrjes), unifikimi i tarifave dhe zonave në rrjet nacional të TK-së, dhe ulje e çmimit të thirrjeve ndërkombëtare”, tha Demir Limaj ushtrues detyre i drejtorit të Shitjes në PTK.

"Derisa çmimet e vjetra për shfrytëzim të këtyre shërbimeve kanë qenë 23 cent (me TVSH) ndërsa për kabina 10 cent për foltore, çmimet e reja për “call set-up” janë zbritur rreth 50 %, që do të thotë se thirrjet në foltoret me parapagim (kartela) janë 0.5 cent, ndërkaq në foltoret me ndërmjetësues (kabinat) 10 cent”. /Telegrafi/