Qeveria duhet tu ofroj shansin qytetarëve të saj t’i blejnë aksionet e ndërmarrjes më fitimprurëse në Kosovë. Qytetarët e Kosovës brenda dhe jashtë vendit do të mund të blinin aksione. Kjo do të zbuste varfërinë dhe do t’i siguronte shumë qytetarëve të Kosovës një mirëqenie më të mirë. Një mundësi të tillë e kishin edhe qytetarët gjerman kur u privatizua Telekomi në Gjermani.
Qeveria e Kosovës, përkundër thirrjeve nga të gjitha anët për të mos privatizuar njërën nga ndërmarrje më rentabile të shtetit, është e vendosur ta shes PTK-ën. Protestat e punonjësve të postës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje kundër shitjes së pasurisë kombëtare kanë mbetur pa u dëgjuar nga Qeveria. Duket se ky vendim është i prerë dhe nuk mund të ndryshohet. Me mjetet e fituara nga shitja e postës synohet të financohet autostrada e re në Kosovë. Në kushtet kur qytetarët dhe opozita nuk kanë asnjë instrument demokratik në dorë për të penguar një vendim të gabuar të qeverisë, shtrohet pyetja se çka mund të shpëtohet në këtë situatë.
Fitojnë të huajt, varfërohet Kosova
Shtypi ditor bën të ditur se për blerjen e PTK-ës ekzistojnë dy blerës potencial: Operatori kroat, i cili në pjesën më të madhe zotërohet nga Deutsche Telekom AG (DTE) dhe Telekom Austria AG (TKA). Shitja e 75 % të aksioneve të PTK-së, nëse përkthehet në gjuhë të fakteve do të thotë, Qeveria e Kosovës i shet një firme të huaj një ndërmarrje fitimprurëse të vendit duke i dhënë asaj mundësinë që të fitoj për vete dhe t’i dërgoj fitimet jashtë vendit. Një veprim i tillë është një hap më shumë i qeverisë për ta shtuar varfërinë në Kosovë dhe për të siguruar vende pune dhe mirëqenie jashtë Kosovës.
Aksionet t’u shiten qytetarëve të Kosovës
Qeveria ka mundësinë që aksionet e PTK-së t’ia shes qytetarëve të sajë. Një çmim mes 15 – deri në 25 Euro për aksion, siç ishte përcaktuar përafërsisht në kohën kur u privatizua Telekomi Gjerman, do të krijonte mundësinë që qytetarët e Kosovës të blinin një shumë të caktuar të aksioneve. Blerja e aksioneve, të një ndërmarrje rentabile, të cilës do të duhej t’i shtohej një menaxhim i mirë, do t’ju krijonte blerësve të aksioneve një mundësi të mirë për të fituar. Në anën tjetër një veprim i tillë do të bënte që pasuria dhe fitimi të mbeteshin në vende dhe jo të hidheshin jashtë vendit siç kërkon qeveria.
Blerësit potencial janë qytetarët në Kosovë dhe Diasporë
Mundësi për blerjen e aksioneve të PTK-ës do të kishin të gjithë qytetarët e Kosovës. Qeveria do të duhej të përcaktonte një çmim të lirë për aksione. Çmimi i lirë do të t’i krijonte shanse për tu bërë pronarë i PTK-ës secilit qytetar të Kosovës që do të dëshironte që një pjesë të kursimit të tij ta investon në ndërmarrjen më fitimprurëse të Kosovës.
Një potencial të fuqishëm paraqet vet diaspora. Siç dihet ajo sjell çdo vit më shumë se 500 milion Euro në Kosovë në formë ndihmash për familjet dhe bizneset në Kosovë. Qeveria, nëse do të përcaktohej për privatizim brenda vendit, do të kishte mundësi të dëshmonte se dëshiron vërtetë të krijoj kushte që mërgimtarët të investojnë në Kosovë. Për qeverinë nuk do të ishte një ndryshim i madh nëse 600 milionë i paguajnë qytetarët e Kosovës dhe jo firmat e huaja. Për Kosovën ky ndryshim është shumë i madh.