Telegrafi

PTK: Rrogat e menaxherëve më të mëdha se e presidentit

Me të kuptuar se PTK sigurt do të privatizohet, zyrtarë të kësaj ndërmarrjeje janë ngutur që pagat të cilat janë quajtur të majme, t’i rrisin edhe më. 11 zyrtarë të lartë të Postës dhe Telekomit të Kosovës kanë përfituar nga rritja e gradave brenda institucionit ku punojnë.

Kjo ngritje në gradë ka sjellë edhe rritje të pagave të tyre, në kohën kur PTK-ja pritet të privatizohet. KTV-ja nëpërmjet burimeve brenda këtij institucioni i ka mësuar edhe emrat e përfituesve që i bën ata ekipin me pagat më të mëdha në ndërmarrjet kosovare.
Prej gradës 15, e cila paguhet me 2 mijë euro, kanë kaluar shefi i prokurimit Fatmir Gjonbalaj dhe drejtori për marrëdhënie me jashtë, Menduh Abazi.

Tash që të dy do të paguhen 3 mijë e 500 euro bruto. Të njëjtin fat e kanë edhe 9 zyrtarë të tjerë të cilët e kanë pasur gradën 16 dhe diferenca nga e cila kanë përfituar është 1 000 euro. Ata janë: Xhevdet Smakiqi (këshilltar), Elvis Pista (Këshilltar), Bardhyl Sejdiu (shef i sigurimeve), Besnik Jani (drejtor i burimeve njerëzore), Bedri Barku (u.d. i drejtorit të “Valës”), Fatos Shema (menaxher), Visar Xhaferi (menaxher ), Demir Limaj (drejtor i marketingut), Slobodan Petroviq (departamenti i kthimeve).

Tash e disa ditë askush nga zyra e komunikimit me media nuk ka qenë e gatshme t’i përgjigjet KTV-së në interesimin për këtë temë. Grada 17 është më e larta në këtë ndërmarrje, por përjashtim bën vetëm kryeshefi ekzekutiv, Shyqyri Haxha, i cili paguhet 5 mijë euro bruto. Paga prej 3 mijë e 500 euro është më e madhe se sa e presidentit, i cili paguhet 3 mijë e 400 për muaj si dhe e kryeministrit, i cili paguhet 2 mijë e 400 euro bruto.

Bordi i PTK-së kishte premtuar se do të bëjë nivelimin e pagave pasi ndërmarrjet e tjera kishin filluar ta bënin këtë. Pavarësisht kësaj, kanë qenë rritjet e pagave të cilat e kanë karakterizuar këtë ndërmarrje krejt kohën. Paga mesatare në Kosovë është 272 euro. /Telegrafi/