Telegrafi

PTK prin në garën për operatorin e katërt mobil në Shqipëri

“PTK në këtë konsorcium ka hyrë me 30% të aksioneve bazë, përmes modelit “Know how”, një model ky bashkëkohor ekonomik, ku pjesëmarrja PTK-së ofron njohuri, përvojë, ekspertizë profesionale dhe biznesi në fushën e telekomit”, ka deklaruar Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha.

Sipas tij, kompanitë me të cilat PTK ka hyrë në konsorcium janë të regjistruara në Republikën e Shqipërisë dhe ushtrojnë aktivitet ligjor dhe afarist.
“PTK ka hyrë në konsorciom me Albanian Drink Distribution Shpk, ACI Engineering Shpk, Infosoft, Union Grup Shpk dhe biznesmenin shqiptar Samir Mane”, ka thënë Haxha duke shtuar se, sipas rezultateve të fundit, shihet se PTK-ja është e para në listë.

Ky është projekti i parë dhe i vetëm, që një kompani e telekomunikacionit nga Kosova, shtrihet jashtë territorit të saj, ndërkohë që projekti është mbështetur dhe konsideruar si strategjik nga të qeveritë, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Si menaxhment do të bëjmë çmos që të mbrojmë interesin e kompanisë sonë (PTK) dhe ta ngrisim standardin e saj. Deri tash nuk kemi shpenzuar dhe nuk jemi të obliguar që të shpenzojmë asnjë cent. Nëse fitohet tenderi, atëherë ne do të jemi shumë të kujdesshëm që shprehja e interesit për investime nga ana e PTK-së, të realizohet në përputhje me Ligjin e Prokurimit, Ligjit për Ndërmarrje Publike si dhe hierarkisë së ndërmarrjes”, ka pohuar Haxha. /Telegrafi/