Telegrafi

PTK nënshkruan marrëveshje me Raiffeisen Bank

Marrëveshja ofron shërbime specifike për nevoja të bankës dhe e bën Postën e Kosovës një partner të besueshëm të biznesit kosovar.

“Posta e Kosovës, Njësi Biznesi e PTK Sh.a., ka kënaqësinë që tash e tutje do të bashkëpunojë me Raiffeisen Bank, duke i ofruar asaj shërbimet e veta, siç janë ato të pranimit dhe dorëzimit të dërgesave postare, duke e çuar në këtë mënyrë bankën edhe më pranë konsumatorëve të vet ”, ka thënë Kryeshefi Ekzekutiv i PTK, Shyqyri Haxha, me rastin e nënshkrimit të kontratës.

Posta e Kosovës, me anë të kësaj kontrate do të kryej edhe shëbimin tjetër atë të shpërndarjes së dërgesave – përkujtimin lidhur me gjendjen e llogarisë të klientëve, të cilët posedojnë Visa Credit Card, duke i njoftuar gjithashtu me shumën minimale që duhet ta paguajnë brenda afatit, në mënyrë që mos të aplikohen tarifat ndëshkuese.

Njëherësh, kjo marrëveshje do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e të hyrave të Postës së Kosovës, që është edhe synim i menaxhmentit.

Nga ana e tij, Robert Wright, Drejtor ekzekutiv i Raiffeisen Bank, ka thënë se kjo marrëveshje do t’i mundësojë bankës që t’u ofrojë shërbime të nivelit të lartë klientëve të vet.

“Raiffeisen Bank, përpos mjeteve të ndryshme të komunikimit, shfrytëzon letrën si mjet klasim dhe efektiv komunikimi me klientët e saj. Arritja e kësaj marrëveshjeje është një hap në trendin e bashkëpunimit mes PTK dhe Raiffeisen Bank, duke mundësuar kështu krijimin e rrethanave më të favorshme për konsumatorët tanë”, ka theksuar Wright.

Kjo marrëveshje bëhet në kuadër të angazhimit të Postës së Kosovës që të zhvillojë shërbimin postar dhe pasohet nga marrëveshje tjera, të arritura gjatë këtij viti me pothuaj të gjitha bankat komerciale që veprojnë në Republikën e Kosovës. /Telegrafi/