Telegrafi

PTK, mbyll me sukses vitin 2008

Me këtë rast, Kryeshefi i Ekzekutivit të PTK-së, Shyqyri Haxha ka bërë një prezantim të punës së kryer në Njësitë e biznesit të kompanisë gjatë vitit dhe ka shpalosur projektet për vitin 2009.

“Operatori publik mobil Vala, është në përfundim të fazës së 5-të me një kapacitet prej 1.2 milionë konsumatorë, ajo ka arritur në 90 % të mbulueshmërisë ndërkohë që aktualisht numëron 850 mijë konsumatorë me parapagim (Prepaid) dhe 36 mijë me kontratë (Postpaid). Duhet theksuar se Vala ka bërë ulej e tarifave prej 0.16 në 0.08 centë”, ka theksuar Haxha.

Gjatë vitit të kaluar, të arritura të rëndësishme janë shënuar edhe në Telefoninë fikse duke filluar nga kalimi në platformën Next Generation Network (NGN), e cila tashmë është kompletuar , në kuadër të NGN është platforma për Asymmetrical Digital Subscriber Line (ADSL) me kapaciteti 50.000 konsumatorë në operim (aktiv) janë 21.000; platforma prepaid e instaluar funksionale; rrjeti me fibër optic rreth 700 km me qasje ndërkombëtare; produket të reja në rrjetin fiks: (voice & data).

Në komunikatë po ashtu thuhet se Posta e Kosovës, Njësi biznesi e PTK-së ka filluar ndërtimin e Qendrës Tranzite Postare (QTP), e cila është në përfundim e sipër. Gjatë viti 2008 ajo ka realizuar trafik postar internacional të avancuar; janë emetuar 43 emisione të pullave postare ndërkohë që janë nënshkruar 80 kontrata me konsumatorë të mëdhenj për shërbime postare.

Ndërkaq planet për vitin e 2009, sipas kryetarit të BoD dhe KE të PTK-së janë të shumta duke filluar nga rritja e mbulueshmërisë si në telefoninë mobile ashtu edhe atë fikse; do të bëhet zgjerimi i rrjetave optike; do të lansohen produkte të reja brezgjerë me kapacitete të mëdha si dhe të krijohet banka – Post Banka.

“Sa i përket Operatori Virtual Bordi i Drejtorëve i PTK-së, ka aprovuar marrëveshjen me Operatorin Virtuel, Dardafon në një nga mbledhjet e tij. Bordi konsideron se në bazë të punës së ekspertëve të PTK-së, kjo marrëveshje është në funksion të rritjes së vlerës së PTK-së dhe krijon të hyra më të mëdha për PTK-në. Gjithashtu, në bazë të licencës së dhënë nga ART, PTK ka qenë e obliguar në realizimin e saj”, ka deklaruar para gazetarëve kryetari i BoD, z. Rexhe Gjonbalaj.

Privatizimi i PTK-së është një tjetër projekt madhor i iniciuar nga Qeveria e Kosovës, i cili do të përkrahet nga PTK, ka deklaruar drejtori Haxha.

“Privatizimi është paraparë nga Qeveria, ajo i ka formuar ekipet që bashkëpunojnë shumë ngushtë me PTK-në, që privatizimi të realizohet me sukses. Ndërkohë ne si menaxhment i PTK-së do të mundohemi të rrisim standardin, të rrisim vlerën e PTK-së që kur të vjen koha e privatizimit të jemi të kënaqur të gjithë”. /Telegrafi/