Telegrafi

PTK lëshoi në qarkullim pullën postare “Miqësia e Kosovës me SHBA-të”

Me këtë rast kryeministri Thaçi falënderoi postën për këtë ide dhe SHBA-të për miqësinë me popullin tonë në të kaluarën, tani dhe që do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Shefi ekzekutiv i Postë Telekomit të Kosovës, Shyqri Haxha, shprehu mirënjohjen ndaj SHBA-ve për krijimin e shtetit të Kosovës. “Ky edicion ka një rëndësi të posaçme për ne si PTK dhe për vetë shtetin e Republikës së Kosovës, nga vetë titulli që përmban “ Miqësia e Kosovës me SHBA-të”. Ne si PTK jemi në shërbim të popullit prandaj sot përmes kësaj pulle postare në emër të Republikës së Kosovës dhe popullit të Kosovës, faleminderit SHBA”, ka deklaruar Haxha.

Ambasadori amerikan në vendin tonë, Christopher Dell ndërkaq, falënderoi Postë Telekomin e Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës për mirënjohjen që po tregojnë ndaj popullit amerikan.

“Kjo shënon 10 vjetorin e fillimit të ngjarjeve që çuan në pavarësinë e Kosovës. Të kesh pulla postare për të shënuar këtë, posaçërisht një pullë postare që vlen 2 euro, është shtrenjtë dhe nënvizon vlerën e miqësisë sonë. Kjo është diçka e bukur dhe përkujtim i mirë, jo vetëm i miqësisë sonë në të kaluarën, por edhe miqësinë e përhershme që do të vazhdojë edhe vitet e ardhshme”, ka theksuar Dell.

Kryeministri Hashim Thaçi, i pranishëm në ceremoninë e sotme, u zotua për miqësi të përhershme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /rtk/