Arka e shtetit e dedikuar që të mbushet me para nga Postë Telekomi i Kosovës (PTK) ka mbetur e zbraztë. Kjo ndërmarrje publike nuk ka arrit ende që të ndajë deri më tash asnjë cent dividentë për Qeverinë e Kosovës, përderisa vitin e kaluar deri në këtë periudhë kishte ndarë 30 milionë euro.
Si pasojë e kësaj edhe të hyrat buxhetore kanë shënuar rënie në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, edhe pse agjencitë tjera kanë arritur t’i rrisin të hyrat.
“Të hyrat buxhetore neto deri në qershor 2014 shënuan rënie të lehtë vjetore prej 0.3 për qind duke arritur në 603.0 milionë euro. Kjo rënie e të hyrave buxhetore është kryesisht për shkak se në vitin 2014 nuk janë arkëtuar të hyra në formë të dividentës nga ndërmarrjet publike, ndërkohë që në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin realizuar 30.0 milionë euro të hyra nga dividenta, shkruan Tribuna.
Nëse përjashtohen të hyrat nga dividenta e realizuar në vitin 2013, atëherë të hyrat buxhetore deri në qershor 2014 shënuan rritje prej 4.9 për qind”, thuhet në raportin e BQK-së.
Zyra për informim në Ministrinë Financave ka njoftuar se PTK-ja sivjet do të ndajë dividentë vetëm 10 milionë euro. Në anën tjetër në PTK nuk kanë dashur të flasin fare për rënien e dividentës. /Telegrafi/