Telegrafi

PTK lanson shërbimin më të ri “WiFi” në 60 lokalitete të Kosovës

Në njoftimin e PTK-së thuhet se instalimi dhe promovimi i parë i këtij shërbimi është bërë në fshatin Prekaz, respektivisht në kompleksin Kulla e Jasharajve.

“Në këtë fazë janë instaluar gjithsejt 60 pika, të cilat janë kryesisht afër pikave shitëse të PTK-së dhe nëpër sheshet e qyteteve kryesore të Kosovës, ndërkohë që do të instalohen 300 pika të mbulimit në gjithë territorin e vendit”, thuhet në njoftim.

PTK me këtë projekt synon të mbulojë hapësira publike me qasje të internetit nëpër të gjitha sheshet dhe bulevardet e qyteteve kryesore të vendit, Shoqatat e Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës, Shoqatat e Familjeve të të Zhdukurve të Luftës, vendpushimet e ndryshme, Qendrat Tregtare, Stacionet e Autobusëve, Aeorportin Ndërkombëtar të Prishtines, Qendrën e studentëve, shkollat e mesme, disa fakultete etj.

Saktësisht deri më tash janë realizuar 60 pika të prezencës me “WiFi” duke përfshirë Prishtinën në 19 pika, Prizreni, Peja, Ferizaji dhe Mitrovica nga 7 pika, derisa Gjakova dhe Gjilani nga gjashtë pika të shërbimit “WiFi”. 

Kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha theksoi se objektiv kryesor është ofrimi i mobilitetit për internet me shpejtësi të lartë dhe kosto të ulët për këtë shërbim.

Ndërsa, përfaqësuesi i familjes Murat Jashari bëri të ditur se meqë ky kompleks ka vizitorë të shumtë, projekti më i ri i PTK-së është tejet i qëlluar. 

“Me këtë shërbim PTK do t’u dalë në ndihmë të gjithë ata vizitorëve që vijnë për të vizituar këtë kompleks, të cilëve do t’u mundësohet pushimi dhe vizita këtu duke pasur qasje në internet dhe ky është edhe një tjetër shërbim që po na ofrohet nga kjo kompani në krye me menaxhmentin aktual”, ka deklaruar Jashari. /Telegrafi/