Telegrafi

PTK-ja rrit të hyrat për 6 për qind

Të gjitha njësitë e biznesit të PTK-së, telefonia mobile Vala, ajo fikse Telekomi i Kosovës dhe Posta e Kosovës, kanë bërë që kjo kompani, përgjithësisht të ketë zhvillim pozitiv.

Shyqyri Haxha, Kryeshef Ekzekutiv i PTK-së, tha gjatë një konference, të premten për media se realizimi i planit të biznesit për periudhën gjashtëmujore është tejkaluar.
“Rol të veçantë ka luajtur edhe realizimi në inkasimin e borxheve, që d.m.th se PTK-së nuk iu janë krijuar borxhe të reja. Janë adaptuar strategji të caktuara, përmes të cilave nuk krijohen borxhe të reja, ndërkohë që janë inkasuar mbi 3 milionë euro nga borxhet e vjetra”, tha Haxha.

Operatori mobil Vala, tashmë numëron mbi 1.1 milion konsumatorë dhe ka të instaluara 397 stacione bazë, në tërë Kosovën.

Haxha, tha se në këtë gjashtë mujor, ka shënuar edhe njësia e Telekomit të Kosovës, ku ka pasur një shtim të konsumatorëve prej 22 për qind për shërbimet e kombinuara, si dhe 118 për qind për shërbimet e internetit.

“Posta e Kosovës, si njësi tjetër e PTK-së, po ashtu mund të veçohet për arritjet pozitive që ka shënuar në këtë periudhë, sa I përket numrit të dërgesave postare, sikurse edhe përkushtimit të menaxhmetit që kjo njësi të zhvillohet përmes investimeve dhe përmirësimit të kushteve të punës”, shpjegoi Haxha. /Telegrafi/