Telegrafi

PTK-ja nuk është e përgatitur për shitje

LDD po ashtu problem konsideroi mungesën e një infrastrukture brez gjerë gjithëpërfshirëse për komunikime elektronike në tërë territorin e Kosovës, e ndërlidhur me të gjitha rrjetat e shteteve rajonale dhe më pastaj me rrjetat pan-evropiane dhe botërore të telekomunikacionit.

Kjo parti vlerësoi se industria e telekomunikacionit përbën një sektor të rëndësishëm të ekonomisë së Kosovës, duke siguruar burim kryesor të punësimit, dhe duke kontribuar me një pjesë të rëndësishme të Bruto Prodhimit Kombëtar, rreth 10% e GDP-së së Kosovës.

Sipas kësaj partie, shpërndarja e teknologjive dhe e rrjetave të avancuara në Kosovë është zhvilluar me një ritëm jo të rregullt dhe në mënyrë të pakoordinuar, me pasoja negative për disponueshmërinë dhe arritshmërinë e shërbimeve telekomunikuese.

“LDD me bindje të plotë mendon që PTK-ja duhet të vazhdojë me proceset e riorganizimit dhe ristrukturimit, me objektivë strategjike të shtimit të pronës (aseteve) dhe vlerës së tyre, uljes së shpenzimeve dhe rritjes së efikasitetit. Pas ristrukturimit dhe riorganizimit të PTK-së, LDD do të shqyrtojë mundësinë për pjesëmarrjen e sektorit privat në PTK”.

Kjo parti mbështeti aksionin e ART për eliminimin e operatorëve ilegal ,ku si pasojë e operimit të paligjshëm të tyre janë shkaktuar humbje dhe dëme të mëdha për ekonominë e Kosovës si dhe në rregullimin e tregut të telekomunikacionit. /Telegrafi/