Telegrafi

PTK, hapsirë të mjaftushme për operim në Shqipëri

Në vend, shumë shpejt do të nisë operimin edhe operatori i katërt celular. Tri kompani paraqitën dje ofertat në tenderin për marrjen e licencës së katërt si operator GSM.

Në garën për licencën e katërt janë dy kompani shqiptare, njëra në formën e joint-venture, Univers P.G., dhe tjetra është Postë Telekomunikacioni i Kosovës, me partner kompaninë ACI, ndërsa kompania e tretë është suedezja Tele 2. Univers P.G ofroi për blerjen e licencës 5 milionë euro, PTK-ja ishte kompania që ofroi 7.2 milion euro ndërsa suedezët nuk ofruan asgjë.

Këto kompani, krahas shumave për blerjen e licencës, kanë paraqitur edhe plan-bizneset për mënyrën e shtrirjes dhe tarifat që do të aplikojnë. Në tender u bënë publike vetëm shumat e ofruara për licencës, ndërsa fituesi pritet të shpallet ditët në vijim.

Zyrtarët e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, thanë se shtrirja gjeografike dhe tarifat do të jenë elementët kyçë në shpalljen e fituesit. Por, operatorit të katërt do t’i duhen, të paktën gjashtë muaj nga dita e shpalljes si fitues, për të hyrë në treg në mënyra aktive.

Tenderi i operatorit të katër i telefonisë së lëvizshme, vjen vetëm pak muaj pas hyrjes në treg të Eagle Mobile dhe zyrtarët e AKEP-së thonë se, me hyrjen në treg të këtij operatori, konkurrenca do të rritet më shumë, duke ndikuar në uljen e mëtejshme të tarifave.

Gjithashtu, në mars pritet ulja me 20% e tarifave, pas asaj të aplikuar në shtator të 2008-ës, si pjesë e planit për zbatimin e metodologjisë së miratuar nga ky autoritet. Raporti i vitit 2008 tregon për një rritje të numrit të përdoruesve të celularëve dhe mendohet që në fund të 2008-ës ai të ketë arritur në 2.7 milionë të tillë.

Deri më 1 korrik të vitit të kaluar, AKEP-ja raporton se ka pasur 2.5 milionë përdorues. Sipas saj, pas uljes së tarifave me 20% në shtatorin e kaluar, konsumatorët kursyen rreth 30 milionë dollarë.

Të paktën kështu thuhet në raportin vjetor të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Pas hyrjes së operatorit të tretë në treg është vënë re një rritje e konkurrencës midis tre kompanive për kapjen e klientëve të rinj, apo edhe për të mbajtur ato ekzistues.

Sipas AKEP-së, tri kompanitë rivalizuan fort në paktet promocionale, duke u përqendruar në programet tarifore që synojnë përdoruesit e grupeve të mbyllura.

Në, Shqipëri aktualisht ka 85 përdorues telefoni celular për 100 banorë, por përdorues konsiderohet çdo kartë Sim, duke e renditur Shqipërinë në mesataren e rajonit, por ende larg mesatares së vendeve të Bashkimit Evropian.