Site icon Telegrafi

PTK fiton kontestin gjyqësor me AXOS-in në Gjykatën e Arbitrazhit

Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ka vendosur në favor të Postës dhe Telekomit të Kosovës në rastin gjyqësor me kompaninë “AXOS”.

Klan Kosova merr vesh ekzkluzivisht se vendimi lidhur me këtë kontest gjyqësor do të bëhet publik më 4 maj të këtij viti.

Procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës kishte nisur në vitin 2010.

Por tri vite më vonë, në prillin e vitit 2013, “Axos” ishte shpallur fituese pasi kishte ofruar 277 milionë euro për blerjen e 75% të aksioneve në “Vala” e Telekom.

Por privatizimi i PTK-së nuk ndodhi.

Kuvendi i Kosovës nuk ia dha “dritën jeshile” raportit të qeverisë për shitjen e PTK-së pasi ishte opozita ajo që e kundërshtonte fort këtë proces duke bojkotuar disa herë edhe seancat.

Madje, opozita kërcënoi se nuk do ta votonin edhe buxhetin për vitin 2014, pas tentimit të qeverisë që me një amendament në këtë ligj të fusë edhe çështjen e privatizimit të PTK-së.

Pasi u mor vendimi që ky proces të ndalet, “Axos” që është kompani gjermane paralajmëroi padinë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik që ishte në atë qeverisje, Fadil Ismajli, deklaroi se asnjë kompensim nuk do t’i shkojë kompanisë Axos, njofton Klan Kosova.

ACP Axos Capital GmbH bëri padinë më 4 qershor të vitit 2015 në Gjykatën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve Investive (ICSID).

Qeveria e Kosovës më 2 shtator të po këtij viti ndau 200 mijë euro për mbrojtje. Kompania “Patton Boggs” ishte përfaqësuesja e saj ligjore për zgjidhjen e këtij kontesti. /Telegrafi/

Exit mobile version