Telegrafi

PTK dhe NLB nënshkruajnë kontratë bashkëpunimi

Marrëveshja ofron shërbime specifike për nevoja të bankës dhe e bënë Postën e Kosovës një partner të besueshëm të biznesit kosovar.

“Posta e Kosovës, Njësi Biznesi e PTK-së, ka kënaqësinë që tash e tutje do të bashkëpunojë me bankën tuaj, NLB, duke i ofruar asaj shërbimet e veta, siç janë ato të pranimit dhe dorëzimit të dërgesave postare, duke e çuar në këtë mënyrë bankën edhe më pranë konsumatorëve të vet”, ka deklaruar Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha, me rastin e nënshkrimit të kontratës.

Njëherësh, kjo marrëveshje do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e të hyrave të Postës së Kosovës, që është edhe synim i menaxhmentit.

Sipas Haxhës, PTK dhe Posta e Kosovës edhe më tutje do të vazhdojë të zgjerojë mundësitë e bashkëpunimit me bankën NLB, dhe kjo gjithnjë në të mirë të konsumatorit.

Drejtori i përgjithshëm i NLB-së, Albert Lumezi, ka thënë se kjo marrëveshje do t’i mundësojë bankës që t’u ofrojë shërbime të nivelit të lartë klientëve të vet.

“Arritja e kësaj marrëveshjeje është një hap në trendin e bashkëpunimit mes PTK-së dhe NLB, duke mundësuar kështu krijimin e rrethanave më të favorshme për konsumatorët tanë”, ka theksuar Lumezi.

Kjo marrëveshje bëhet në kuadër të angazhimit të Postës së Kosovës që të zhvillojë shërbimin postar, e paraprirë nga marrëveshja e mëhershme që Posta e Kosovës ka arritur me dy bankat tjetër kosovare TEB dhe Bankën Për Biznes. /Telegrafi/