Telegrafi

PTK dhe KEK, marrëveshje për investime

Posta dhe Telekomi i Kosovës dhe Korporata Energjetike e Kosovës kanë nënshkruar sot, Marrëveshjen e Mirëkuptimit për shumë fusha të përbashkëta.

Tash e tutje, KEK dhe PTK gjatë implementimit të projekteve kapitale, aty ku ka mundësi investimet do t’i bëjnë të përbashkëta, me qëllim uljen e shpenzimeve dhe rritjen e efikasitetiit te punës.

Lidhur me këtë Kryeshefi Ekzekutiv i PTK, Shyqyri Haxha, tha se kjo marrëveshje si dhe ajo me Qeverinë e Republikës së Kosovës tregojnë se menaxhmenti aktual ka një vizion të qartë e ai është ruajtja dhe rritja e vlerës së korporatës.

“Me këto punë të cilat ne po i bëjmë çdo ditë po mundohemi që vlerën e PTK-së ta ngrisim sa më lartë, që të kemi sa më pak shpenzime të panevojshme, që të kemi sa më shumë benificione që aksionari ynë, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe konsumatorët të jenë të kënaqur me punën tonë dhe me produktet e shërbimet që po ofrojmë”, pohoi dr.Haxha pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Nga ana tjetër u.d i Drejtorit Gjeneral të KEK-ut, Arben Gjukaj pohoi se KEK në vazhdimësi është duke shtuar kujdesin ndaj konsumatorëve duke ju ofruar atyre rrymë pothuajse 24 orë pandërprerë dhe së këto marrëveshje do të kontribuojnë që të kemi shërbime edhe më të mira për ta.

“KEK-u si rrjedhojë e punës së menaxhmentit aktual po arrin që në masë të madhe t’i kënaq konsumatorët e vet me shërbimet që po u afron dhe kjo po ndikon edhe në rritjen e pagesës së energjisë së shpenzuar. Kjo marrëveshje do të na mundësojë që me më pak mjete të kryejmë më shumë punë bashkë me PTK, ndërsa benificionet do t’i vërejnë konsumatorët e të dyja korporatave”, pohoi Gjukaj pas takimit. /telegrafi/