Telegrafi

PTK blen paisje moderne përgjuese për Policinë e Kosovës

“PTK-së kjo kërkesë ju ka parashtruar kohë me parë, mirëpo për realizimin e saj, menaxhmenti është dashur që të  marrë edhe mendimin e organeve të atëhershme mbikëqyrëse të PTK-së, Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut dhe AKM-së. Në atë kohë AKM dhe Shtylla e IV-të patën dhënë mendimin e tyre ligjor duke e këshilluar PTK-në se blerja e pajisjeve është përgjegjësi e kësaj kompanie”.

PTK ka njoftuar se është vetëm një ‘donator’ i shumës së vlerës së Pajisjeve për Përgjim Ligjor dhe se Specifikimi Teknik është kryer nga ana e Policisë se UNMIK-ut dhe ajo e SHPK-së.

Blerja e këtyre pajisjeve u realizua pas takimeve të shumta dhe konsultimeve mes përfaqësuesve të PTK dhe atyre të policisë dhe aprovimit paraprak të Bordit të Drejtorëve”.

Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Adnan Merovci me këtë rast, ka deklaruar se, ai së bashku me stafin kanë punuar me qëllim të realizimit të këtij projekti i cili është shumë i rëndësishëm për punën e Policisë së Kosovës dhe zbatimin e ligjit.

Nga ana tjetër kolonel Rifat Marmullaku, të cilit ju dorëzua dokumentacioni se PTK do të blejë  për nevoja të Policisë së Kosovës te gjitha pajisjet për përgjim ligjor të cilat do të mundësojnë funksionalizimin e përgjimit ligjor, pohoi se me blerjen e këtyre pajisjeve do të ndihmohet parandalimi i krimit të organizuar në vend.

“Ky është projekt i madh për Policinë e Kosovës dhe për gjithë shoqërinë kosovare në përgjithësi me qëllim të ofrimit të një ambienti sa më të sigurt dhe ligjor për gjithë qytetarët tanë”.

Në takim morën pjesë edhe dy zyrtarë  të lartë të policisë së UNMIK-ut, Ralph Walde, shef i Njësisë për Përgjim Ligjor dhe Bill Ward nga Departamenti për Krim të Organizuar, të cilët falënderuan PTK për punën e bërë e cila sipas tyre do të ndihmojë  në parandalimin e krimit të organizuar.

Realizimi i gjithë këtij projekti do të përfundojë  brenda një muaji. /Telegrafi/