Telegrafi

PTK Bank, bankat komerciale lobojnë kundër

Krijimi i postë-bankës ishte ndër projektet më të mëdha të Postë Telekomit të Kosovës të paralajmëruara në fillim të këtij viti. Por, ky projekt është ende në fazën nismëtare, thotë zëdhënësi i PTK-së, Menduh Abazi, i cili konfirmon se po diskutohet rreth formës së bankës dhe kompletimit të dokumentacionit përkatës.
Jozyrtarisht merret vesh se tri bankat më të mëdha komerciale me kapital të huaj që veprojnë në Kosovë po përpiqen që përmes zyrës së FMN-së në Prishtinë, të pengojnë hapjen e post-bankës, me frikën se ajo mund të rrezikojë afarizmin e tyre. Por, Abazi e mohon një gjë të tillë.

Eksperti i çështjeve bankare, Flamur Keqa nga Oda Ekonomike e Kosovës, konsideron se krijimi i postë-bankës, me aksionar shtetin e Kosovës, mund të ndikojë pozitivisht në sektorin bankar të vendit, respektivisht në uljen e normave të interesit, që vazhdojnë të jenë shumë të larta.

Për themelimin e një banke sipas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës nevojitet kapital fillestar prej 5 milionë eurosh, ndërkohë PTK-ja aktualisht posedon rreth 20 përqind të depozitave në tërë sektorin bankar të vendit, apo rreth 290 milionë euro. /rtklive/