Gjykata Penale nuk do të mund edhe më tej ta pengojë punën e Prokurorisë Speciale dhe t’i bllokojë aktakuzat kundër ish shefit të drejtorisë së pestë në DSK, Goran Grujovski dhe ish kryeministrit Nikolla Gruevski, vlerëson avokati Jovan Joanidis për televizionin Alsat-M. Sipas tij, gjykata tashmë nuk ka hapësirë për ta zgjatur procedurën, pasi propozimet e prokurorisë janë dorëzuar me procedurë të shkurtuar, ndërsa gjykatësit patjetër të gjykojnë në afat sa më të shkurtër.
“Gjykata nuk ka më mundësi ligjore për të bërë probleme, për të vepruar në dy propozimet e prokurorisë”, deklaroi për Alsat-M avokati Jovan Joanidis.
Joanidis thekson se Prokuroria Speciale ka mundësi ta ndjekë penalisht gjithsecilin që përpiqet ta pengojë punën e saj.
Rastin “Shuplakat e porositura” në komunën Qendër, kundër kryetarit të OBRM-PDUKM-së, e gjykon ushtruesja e detyrës kryetare e Gjykatës Penale, Tatjana Mihajllova. Në seancën e para një muaji, gjykatësja refuzoi që Prokuroria Speciale të shfrytëzojë dëshmitarë të mbrojtur dhe vendosi të mos i pranojë si dëshmi incizimet nga bombat. Seancë e re e gjykimit të ish kryeministrit është caktuar më 22 shkurt.
Ndërsa të martën në bankën e të akuzuarit do të ulet ish shefi i drejtorisë së pestë në DSK, Goran Grujevski. Ai akuzohet se bashkë me gjashtë zyrtarë të tjerë në DSK për shkatërrimin e dokumenteve zyrtare./Telegrafi/