Prokuroria Speciale është interesuar për historinë e lagjes “Qyteti i diellit” në komunën Sopishtë, mëson Alsat-M nga burime jozyrtare, por të besueshme. Sipas informacioneve tona ekipi i Katica Janevës muajt e fundit ka vizituar vetëqeverisjen lokale, por jo në lidhje me investitorët aktualë turq, por për përpjekjen e dështuar që lagjen elite ta ndërtojë një kompani nga Izraeli.
Nga Prokuroria Speciale nuk deshën të ofrojnë të dhëna të tjera, në pyetjet e parashtruara nga Alsat-M, por vetëm konfirmuan se e kanë vizituar komunën.
“Është e vërtetë se Prokuroria speciale publike ka ndërmarrë veprime që përfshijnë aktivitete që lidhen me komunën Sopishtë. Veprimet janë të lidhura me procedurë para-hetuese, e cila është konfidenciale, kështu që në këtë moment nuk jemi në gjendje të ndajmë detaje. As për motivin për vetë aktivitetet e as në bazë të të cilave materiale është hapur procedura parahetuese “, thanë nga Prokuroria Speciale.
Në përpjekje për të mësuar nëse prokuroria speciale ka kryer ekspertizë, bastisje apo a është konfiskuar dokumentacion, parashtruam pyetje në Gjykatën penale të Shkupit, nëse kanë lëshuar urdhër gjyqësor në kërkesë të ekipit të Janevës, për komunën Sopishtë. Deri në këto lajme nuk morëm përgjigje. I këtillë është epilogu edhe i disa pyetjeve që i adresuam te administrata komunale.
Projekti “Qyteti i diellit” në Sopishtë është një tregim që daton nga viti 2007. Që atëherë qeveria e shtynte idenë për të gjetur një investitor të huaj, të cilit do ti shiste një parcelë të madhe për ndërtimin e shtëpive dhe banesave elite në shpatet e Vodnos. Së pari, për diçka të tillë u angazhua një kompani nga Izraeli e cila edhe pas disa vitesh as që filloi të punojë. Zyrtarisht, problem ishte infrastruktura, por edhe plani i detajuar urbanistik i cili rezultoi të ketë qenë miratuar në kundërshtim me Kushtetutën, me çfarë ra në ujë edhe projekti i izraelitëve.
Tokën pastaj e bleu Xhevahir Holding, realizimi i së cilës është ende në pritje./Telegrafi/