Nëse gjykatësja Aleksandra Pop Stefanija do të mbetet kompetente për të marrë në pyetje ish ministren Gordana Jankulovska për lëndën “Fortesa”, do të dihet deri në fund të kësaj jave. Kështu janë interpretimet jozyrtare edhe nga Gjykata penale e Shkupit edhe nga Prokuroria speciale, pasi që Katica Janeva kërkoi që Pop Stefania të largohet nga rasti meqë bashkëshorti i saj është funksionarë partiak në OBRM-PDUKM, parti kjo në të cilën është e punësuar edhe Gordana Jankullovksa, ka publikuar Alsat-M, transmeton Telegrafi Maqedoni.
“Ajo që mund ta themi në këtë moment është se të premten Prokuroria Speciale formalisht dorëzoi ankesë në Gjykatën e Apelit në Shkup ndaj vendimit të shkallës së parë të Gjykatës penale me të cilin u refuzua kërkesa jonë për largimin e gjykatëses. Deri tani nuk kemi informacion se kur pritet vendimi i gjykatës më të lartë”, kanë njoftuar nga Prokuroria Speciale.
Megjithatë, as nga PSP e as nga Gjykata Penale nuk morëm përgjigje konkrete nëse ka afate në të cilat Gjykata e Apelit duhet të marr vendim. Supozohet se kjo duhet të ndodhë në afat prej tre ditëve të punës nga dita e ankimimit, që do të thotë më së voni të enjten. Pasi që të vendosë Gjykata e apelit, Gjykata penale duhet të caktoj rimarrje në pyetje për Jankulovskën në të cilën do të vendosë nëse do t’i merret pasaporta ashtu siç kërkonte Katica Janeva.
Në lëndën e njëjtë “Fortesa” gjykata refuzoi kërkesën e PSP që t’i shqiptohet paraburgim shefit të Drejtorisë së pestë Goran Grujevski, por megjithatë i shqiptoi masë tjetër për – marrje të pasaportës. Deri në fund të javës me siguri do të ketë vendim edhe për rastin “Tortura”.
Sipas paralajmërimeve jozyrtare, pas thuajse një muaji, Gjykata penale do të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë Speciale që gjashtë pjesëtarët e Alfave që e arrestuan Boshkovskin të marrin ndalesë për zbatimin e detyrave të caktuara të punës./Telegrafi/