Sot, edhe në shtetet me demokraci më të konsoliduar, rastis që deputetët të arrijnë deri në atë pikë sa të shahen, madje edhe të rrihen me njëri-tjetrin. Kjo ka ndodhur edhe në Shqipërinë tonë, e cila po e belbëzon demokracinë prej më se njëzet vjetësh: deputetët tanë janë sharë e stërsharë, me nënë e me babë, me motër e me grua, janë zënë edhe me grushte (ndoshta, një ditë, nën shembullin e tyre, edhe deputetet tona mund të shahen e stërshahen, me babë e me nënë, me vëlla e me burrë, mund të kapen edhe prej flokësh).
Gjithsesi, përderisa sharjet dhe grushtet janë e mbeten rezultat i një impulsiviteti të pakontrolluar, i një temperamenti hipersanguino-kolerik, mendoj se gjërat duhen relativizuar, të tërë ne, shqiptarët, si mesdhetarë që jemi, e kemi tejet të vështirë të përmbahemi, por, sidoqoftë, nuk duhet kaluar njëfarë caku, njëfarë mase.
Ky cak, kjo masë është momenti kur goditja pushon së qeni pasojë e një impulsiviteti të pakontrolluar për t’u shfaqur si një përllogaritje gjakftohtë brenda asaj që mund të quhet pseudogjaknxehtësi. Nëse, para disa ditësh, deputeti X i Partisë Socialiste do ta kishte goditur deputetin Y të Partisë Demokratike (nuk po i përmend emrat e dy protagonistëve jo vetëm sepse dihen tashmë, por sepse mua më intereson kryesisht fenomeni), pra, nëse, para disa ditësh, i pari do ta kishte goditur të dytin papritur me grusht, ky gjest i befasishëm, impulsiv, po e përsëris, gati instinktiv, do të përbënte një gabim të dënueshëm, por jo të pafalshëm (A nuk ndodh që, në gjaknxehtësi e sipër, dy vëllezër të shahen, madje edhe të rrihen, sidomos i madhi të godasë më të voglin?).
Mirëpo, goditja me rrip, jo me grusht, me shkelm apo me kokë, më duket e paramenduar, po e përsëris, e paramenduar, sepse, së pari, për ta kryer këtë veprim, duhet zbërthyer xhaketa, së dyti duhet zbërthyer rripi, së treti, duhet liruar tokëza, së katërti, duhet hequr rripi nga mesi, duke e nxjerrë, pra, nga çdo ilik i pantallonave dhe, së pesti, duhet kapur rripi në mënyrë të tillë që tokëza të arrijë të godasë tjetrin, veprime këto që kërkojnë njëfarë kohe, e cila kohë do t’i mundësonte njeriut me edukatë, sado impulsivo-sanguino- kolerik të jetë ai, ta mbledhë deri diku veten dhe të mendojë për atë që ka ndër mend të bëjë, për pasojat e dëmet që mund të sjellë, sidomos kur mbart mbi supe përgjegjësinë e njërit prej “baballarëve të kombit”; ja përse, rrjedhimisht, në rastin konkret, gjesti më duket i paramenduar, i parallogaritur.
Prandaj, sipas mendimit tim, ky akt i dhunshëm, nga gabim kthehet në faj. Unë kam pasur rastin të njihja etër që i rrihnin me rrip fëmijët e tyre, të cilët, kur arritën në moshë madhore, u martuan dhe u bënë me fëmijë, i rrihnin ose i kërcënonin se do t’i rrihnin me rrip fëmijët e tyre. Qysh kur isha gjimnazist kisha dëgjuar të flitej me zë të ulët se Mehmet Shehu, kur mësoi se i biri i madh (ndjesë pastë) kishte bërë një prapësi në shkollë, kishte nxjerrë rripin për ta rrahur. Kam dëgjuar gjithashtu, se dikush tjetër, oficer madhor ky, e kërcënonte të birin se do ta shtronte në dru me rrip po të ngelte në klasë. Kam dëgjuar së fundi se një ambasador i dikurshëm, goxha figurë asokohe, e rrihte qenin me rrip. Përdorimi i rripit si mjet ndëshkimi e bën rripin dhe individin që e përdor atë si të tillë, objekt edhe të mjekësisë.
Për këtë arsye, po guxoj ta këqyr ngjarjen në fjalë me syrin e psikologut, të psikiatrit e të psikoanalistit, ndonëse nuk i përkas kësaj kategorie profesionale: kështu, rripi shfaqet si kushëriri i parë i kamxhikut, sepse kamxhiku, pra, edhe rripi, ende vazhdon të përdoret sot si mjet ndëshkimi, madje edhe torture; shikoni ç’bëjnë talebanët me kamxhik apo me rrip, shikoni ç’bëjnë sadomazohistët, që kënaqësinë e tyre të mbrapshtë seksuale e lidhin me dhimbjen, aq më tepër që rripi të kujton gjarprin, këtë simbol të seksualitetit; me një fjalë, pas rripit, nuk mbetet të përdoret veçse thika dhe, së fundi, arma e zjarrit, si ajo që qëlloi para shumë vitesh deputetin Azem Hajdari në Kuvendin e stuhishëm të Shqipërisë.
Vazhdon, pra, dhe, me shumë gjasë, do të vazhdojë gjatë përdorimi i dhunës midis deputetëve tanë. Kjo dhunë se si më kujtoi një libër të F. Engelsit me titull “Roli i dhunës në histori”; ndoshta, një ditë, mund të vijë një Engels tjetër, gjerman apo shqiptar qoftë, pak rëndësi ka, që të shkruajë një tjetër libër me titull “Roli i dhunës në historinë e Kuvendit të Shqipërisë”; kjo dhunë më kujtoi gjithashtu një libër të Frojdit me titull “Psikopatologji e jetës së përditshme”; ndoshta, gjithashtu, një ditë, mund të vijë një Frojd tjetër, austriak apo shqiptar qoftë, pak rëndësi ka, që të shkruajë një libër me titull “Psikopatologji e dhunës së përditshme në Kuvendin e Shqipërisë”…
Duke mos qenë as Engels e as Frojd, e shkrova këtë “psikopatologji të rripit” për lexuesin tim të paanshëm dhe aspak të dhunshëm duke shpresuar se ai nuk do të më rrahë me rrip po të mos jetë i të njëjtit mendim me mua. Sido që të vijnë punët dhe të rrjedhin ngjarjet e dhunshme me sharje, grushte, rripa e pistoleta në Kuvendin tonë të stuhishëm, një gjë më duket e vërtetë, pra, e pamohueshme: kush godet dikë me rripin e pantallonave, rrezikon t’i bien pantallonat, pra, të vetëdemaskohet, të vetakuzohet, të vetëdënohet. E njëjta gjë mund e duhet të thuhet edhe për frymëzuesit e tij në partinë që ai përfaqëson, në asamblenë kombëtare e në kryesinë e asaj partie, që e kanë sjellë atë si zëdhënës të një pjese të popullit në Kuvendin e stuhishëm të Shqipërisë
(Marrë nga: Panorama)