Asociacioni i Psikologëve të Kosovës shprehë shqetësimin e saj për mospërfshirjen e Specialistëve të Psikologjisë Klinike në konkursin e fundit për punësim, të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë
Këta të fundit, pakënaqësinë e tyre e kanë shprehur përmes kërkesës së nënshkruar nga kryetari, Naim Telaku.
“Rrjedhimisht, APKO shprehë shqetësimin e saj, që me neglizhencën e vazhdueshme nga MSH, po dëmtohet profesioni i Specialistit të Psikologut Klinik, dhe njëkohësisht po neglizhohen nevojat e popullatës për shërbime të mirëfillta psikologjike në kujdesin ndaj shëndetit mendor të tyre.
Specialistët e Psikologjisë Klinike, në fillim të vitit 2017, kanë përfunduar shkollimin specialistik, i cili është realizuar në përputhje me të gjithë rregulloret dhe procedurat e Bordit për Shkollim Specialistik të Ministrisë se Shëndetësisë si dhe me dispozitat ligjore në fuqi.
Që atëherë, vazhdimisht janë parashtruar kërkesa në MSH për përfshirje në procesin e punësimit të specialistëve dhe shfrytëzimin e shërbimeve të Specialistit të Psikologjisë Klinike, brenda institucioneve publike shëndetësore. Kërkesat tona nuk janë përfillur dhe që nga atëherë, rreth 15 Specialistë Psikolog Klinik, qëndrojnë te pa përfshirë në ofrimin e shërbimeve të shëndetit mendor në institucionet Shëndetësorë të SHSKUK-s.
Konsiderojmë që në institucionet e SHSKU-s ka nevoje për Specialist të Psikologjisë Klinike, ngase shumë institucione nuk janë të mbuluara me shërbimin e Psikologut Klinik, e ato që janë të mbuluara janë të pa mjaftueshme, gjersa nevojat për shërbimet e shëndetit mendor janë shumë të mëdha, posaçërisht në këtë periudhë të pandemisë Covid -19, ku shëndeti mendor i popullatës në përgjithësi është i rënduar.
I nderuar Ministër Zemaj, me sinqeritetin më të thellë, kërkojmë nga ju që të shqyrtoni kërkesën tonë dhe të keni parasysh edhe nevojat e pacientëve të SHSKUK-s për shërbime psikologjike, duke e mundësuar punësimin e Specialistit të Psikologut Klinik në Institucionet e SHSKUK-s, aty ku nevoja për këto shërbime është shumë e madhe”. /Telegrafi/