Shumica e prindërve kanë dëshirë të mendojnë se fëmija i tyre është gjeni. Është në natyrën e njeriut të mendosh se fëmija juaj është i jashtëzakonshëm.
Por, çfarë kanë për të thënë psikologët për fëmijët tuaj të talentuar?
Hulumtimet tregojnë se fëmijët me inteligjencë të lartë zakonisht i kanë të përbashkëta disa trajta të caktuara, dhe ato shfaqen qysh prej një moshe të hershme.
Jo të gjithë gjenitë e ri i përshtaten këtij profili, por nëse fëmija juaj i ka shumicën e këtyre karakteristikave, atëherë ka shumë mundësi që ai/ajo ka një IQ (koeficient të inteligjencës) shumë të lartë.
Ka talent për ruajtjen e informacionit
Fëmijët e talentuar kanë aftësi të jashtëzakonshme të kujtesës. Ata absorbojnë më shumë informacione sesa fëmijët tjerë të moshës së njëjtë.
Kjo nënkupton se fëmija mëson në një shkallë më të shpejtë; kur ia prezantoni një fëmije gjeni një ide apo teori komplekse, ju duhet ta bëni këtë vetëm një herë sepse e kupton menjëherë.
Aftësitë e shkrimit dhe leximit janë dukshëm më të mira sesa të fëmijëve të moshës së njëjtë
Fëmijët me inteligjencë të lartë zakonisht mësojnë të lexojnë para moshës katërvjeçare.
Në krahasim me ta, shumica e fëmijëve nuk e kanë këtë aftësi deri në moshën gjashtë apo shtatëvjeçare.
Fëmijëve të talentuar shpeshherë u pëlqen të lexojnë, pasi kjo u mundëson t’i zgjerojnë njohurit dhe t’i ndjekin interesat që i kanë.
Ka sens të mirë të humorit
Aftësia për t’i kuptuar dhe për t’i krijuar shakatë zakonisht kërkon një kuptim më të madh të gjuhës, ndërveprimit social, etj.
Andaj, fëmijët që shfaqin sens të mirë të humorit prej një moshe të hershme zakonisht kanë inteligjencë shumë të lartë.
Bën shumë pyetje
Shumica e fëmijëve janë kureshtarë për botën që i rrethon, por fëmijët e talentuar zakonisht janë të interesuar të bëjnë pyetje, përgjigjet e së cilave u mundësojnë atyre t’i eksplorojnë idetë e reja.
Ata kanë apetit të pashtershëm për të mësuar, si dhe i shijojnë diskutimet e gjata për konceptet e reja me të cilat ballafaqohen.
Fëmijës me inteligjencë të lartë i pëlqen më shumë të flet me të rritur sesa me fëmijë tjerë
Fëmija i talentuar shpeshherë frustrohet nga limitet e tjerëve në grupin e moshatarëve. Si rezultat i kësaj, fëmija preferon më shumë të flet me njerëz më të rritur.
Fëmijët me inteligjencë të lartë shpeshherë përshkruhen si të vetmuar nga mësuesit e tyre, por në anën tjetër i shijojnë bisedat me njerëz që janë të aftë t’i kuptojnë ata.
Ka talent për muzikë
Disa hulumtime shkencore sugjerojnë se ka një lidhje mes IQ-së dhe talentit muzikor.
Veç kësaj, kurset muzikore u ndihmojnë atyre ta përmirësojnë funksionin kognitiv me kohë. /Telegrafi/