Paris Saint-Germaini është lidhur me një numër portierësh në Ligën Premier për verën e ardhshme dhe duket se një lëvizje e madhe do të ndodhë.
Ekipi i Luis Enriques momentalisht gjendet në pozitën e dytë në Ligue 1, dy pikë mbrapa liderit Monaco.
PSG-ja ka fituar tre titujt e fundit në Francë dhe do të synojë që këtë ta bëjë për herë të katërt radhazi në fund të sezonit.
Gjiganti francez megjithatë nuk e ka fituar ende Ligën e Kampionëve ani pse drejtuesit e klubit kanë shpenzuar miliona euro gjatë viteve të fundit për ta përforcuar ekipin.
Në repartin e portës, Luis Enrique ka në dispozicion Gianluigi Donnarumman, Matvey Safonov dhe Arnau Tenas. Sidoqoftë, duket se ata po planifikojnë një lëvizje të mundshme për portierin e Cityt, Ederson për ta përforcuar ekipin.
Mediumi spanjoll Fichajes, ka bërë me dije se PSG-ja i është bashkuar klubeve nga Arabia Saudite duke përfshirë Al Nassr dhe Al Ahli në mesin e ekipeve që po synojnë nënshkrimin me Ederson.
Ai ka qenë pjesë e Man Cityt që nga viti 2017, pasi u transferua në ‘Etihad Stadium’ nga Benfica për 35 milionë euro.
Ani pse një shumë e madhe parash për një portier atë kohë, braziliani ka dëshmuar vlerën e tij gjatë këtyre viteve duke u bërë numri një i portës nën urdhrat e Pep Guardiolës./Telegrafi/