Marco Verratti ka 10 vite që është pjesë e gjigantit francez Paris Saint Germain.
Kampioni në fuqi i Francës kishte shpenzuar 12 milionë euro në vitin 2012 për ta blerë italianin nga Pescara, derisa ai tanimë është bërë një simbol i klubit francez.
Por kur Verrattit i kanë mbetur vetëm edhe një vit e gjysmë kontratë, PSG po e blindon atë me një kontratë të re ku do të ketë ngritje të konsiderueshme të pagës.
L’Equipe ka raportuar se drejtuesit e PSG-së tanimë kanë nisur kontaktet me mesfushorin italian për t’i zgjatur kontratën edhe për dy vite të tjera.
PSG i ka ofruar Verrattit kontratë deri në verën e vitit 2026 me një rritje të konsiderueshme edhe të pagës.
30-vjeçari aktualisht fiton shtatë milionë euro neto në sezon, por me kontratën e re paga e tij thuajse do të dyfishohet.
Me të nënshkruar kontratën, Verratti do të fitoj pagë prej 12 milionë eurove neto në sezon dhe kjo është një shpërblim nga PSG për besnikërinë që ka treguar italiani ndaj klubit. /Telegrafi/