Ka ardhur ndëshkimi i parë për sulmuesin brazilian, Neymar, nga skuadra e tij Paris Saint-Germain.
Neymar është fjalosur me bashkëlojtarin e tij, Edinson Cavani, pas ndeshjes ndaj Lyonit të fituar me rezultat 2-0.
Sulmuesi brazilian dhe ai uruguaian fillimisht nuk u kuptuan për një goditje dënimit e më pas edhe për një penallti çka bëri të ndërhyj Dani Alves.
Këto keqkuptime ngritën gjakun e Neymarit, i cili pas ndeshjes shkaktoi probleme në zhveshtore duke u fjalosur dhe krijuar zhurmë me Cavanin, por që më pas ka kërkuar falje.
Megjithatë, sipas gazetës prestigjioze franceze L’Equipe, trajneri Unai Emery ka përdorur autoritetin dhe ka ndëshkuar Neymarin për gjestet e bëra.
Sipas L’Equipe, Emery ka vendosur ta përjashtoj sulmuesin brazilian për ndeshjen e radhës, duke mos e ftuar fare, por disa konfirmime tjera thonë se Neymar është i lënduar dhe nuk duan ta rrezikojnë për ndeshjen e Ligës së Kampionëve.
Paris Saint-Germain ndeshjen e radhës e luan nesër (e shtunë) ndaj Montepellierit, ndeshje që fillon nga ora 17:00 dhe zhvillohet në Parc des Princes. /Telegrafi/