Paris Saint-Germain nuk ka ndërmend të lërë Mauricio Pochettino të largohet për tek Manchester Unitedi në gjysmë të sezonit, por ata janë të hapur për negociata kur të mbyllet sezoni 2021-22.
Argjentinasi është shfaqur si një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin në mënyrë të përhershme pas shkarkimit të Ole Gunnar Solskjaer fundjavën e kaluar.
Sipas mediumit Goal.com, ndërsa nuk ka asnjë perspektivë që ai të marrë drejtimin në javët e ardhshme, perspektiva mund të jetë e ndryshme për Djajtë e Kuq këtë verë.
Manchester United po përgatitet të njoftojë ardhjen e Ralf Rangnick si trajner në mënyrë të përkohshme për gjashtë muaj deri në fund të sezonit, por kuptohet se plani i tyre afatgjatë është të punësojë një trajner tjetër.
Rangnick do të përfshihet në vendimmarrjen për menaxherin e ri pasi ai pritet të marrë një rol konsulenti dyvjeçar pas kohës së tij gjashtëmujore në krye.
Sipas Goal, Pochettino mbetet zgjedhja e parë për t’u bërë menaxher i përhershëm, por është një situatë që mund të ndryshojë.
Kuptohet se Unitedi dhe PSG folën përmes ndërmjetësve në fillim të javës, ku u bë e qartë se francezët nuk do ta lejonin menaxherin e tyre të largohej menjëherë. Nuk ka pasur asnjë kontakt apo ofertë zyrtare mes dy klubeve.
Rangnick ende nuk është shpallur zyrtarisht si menaxher, që do të thotë se i përkohshmi aktual Michael Carrick do të jetë përgjegjës për udhëtimin e sotëm (e diel) në Stamford Bridge. /Telegrafi/