Drejtuesit e Paris Saint-Germain planifikojnë të ulin deri në 30 për qind rrogat e futbollistëve të klubit deri në fillim të sezonit të ardhshëm, raporton britanikja Times.
Gazeta britanike thekson se në praktikë kjo do të thotë se një nga tre futbollistët më të mirë të PSG-së, Lionel Messi, Neymar apo Kylian Mbappe do të duhej të largohej nga klubi ose do të uleshin pagat e të gjithë lojtarëve.
Messi ka kontratë deri në fund të sezonit, por ende nuk ka vendosur nëse do të vazhdojë bashkëpunimin me Paris Saint-Germain.
Ai ka të ardhura vjetore neto prej 35 milionë eurosh. Futbollisti argjentinas ka oferta nga klube të shumta dhe në muajt e ardhshëm duhet të bëjë të ditur se ku do të vazhdojë karrierën.
“The Times” thekson se Mbappe duhet të qëndrojë në Paris dhe drejtuesit e PSG-së janë afër vendimit për të mbajtur Messin, por për të shitur Neymarin, i cili ka të njëjtën pagë me futbollistin argjentinas, përcjell euronews albania.
Megjithatë, braziliani ka kontratë me kampionët e Francës deri në qershor të vitit 2025. /Telegrafi/