Telegrafi

PSG konfirmon largimin e Di Marias, Juventusi mbetet opsioni i tij i parë

Angel Di Maria duket hap afër bashkimit me Juventusin si lojtar i lirë pasi Paris Saint-Germain sot konfirmoi se ai do të largohet këtë verë.

34-vjeçari kishte qenë në klubin francez  që nga vera e vitit 2015, kur bëri transferimin prej 63 milionë eurosh nga Manchester United.

Kontrata e tij skadon më 30 qershor dhe kishte kohë që besohej se ai nuk do të nënshkruante një kontratë të re.

Tani kjo është zyrtare, pasi vjen njoftimi nga PSG se Di Maria po i thotë lamtumirë kampionit të Ligue 1.

Në shtatë sezonet e tij në klub, Di Maria ka fituar 18 trofe, më shumë se çdo lojtar tjetër.

Mediat shkruajnë se Juventusi është zgjedhja e parë për Di Marian, të cilit i është ofruar një kontratë njëvjeçare me opsion vazhdimi edhe për një sezon të dytë.

Paraqitja e tij e fundit me fanellën e PSG-së do të jetë kundër FC Metz të shtunën në mbrëmje në “Parc des Princes”.

Kjo do të jetë ndeshja e 295 -të e Di Marias për klubin, ku ka shënuar 92 gola dhe ka dhënë 118 asistime. /Telegrafi/