Telegrafi

PSG-ja ndalet me barazim në shtëpi nga Reims

Paris Saint-Germain ka luajtur baras me rezultat 2-2 në shtëpi ndaj Reims në kuadër të xhiros së 25-të në elitën e futbollit francez.

Pjesa e parë ishte ajo që përcaktoi fatin e këtij takimi pasi në harkun e 45 minutave u shënuan katër gola.

Marshall Munetsi (7’) në portën e zbrazët shënoi për t’i dhënë epërsinë prej 1-0 ekipit të Reims.

PSG-ja barazoi shifrat në 1-1 në minutën e 17-të, kur Yunis Abdelhamid në përpjekje për ta spastruar topin nga zona e çoi atë në rrjetën e portës së tij.

Vendasit nuk u ndalën dhe vetëm dy minuta më vonë Goncalo Ramos (19’) shënoi për epërsinë e PSG-së prej 2-1.

Mysafirët reaguan krejt në fundin e pjesës së parë kur Oumar Diakite (45’) tregoi një qetësi të madhe brenda zonës duke shënuar për rezultatin 2-2.

Në pjesën e dytë të dyja skuadrat patën disa raste të mira shënimi, megjithëse rezultati mbeti i paprekur dhe u desh që të pajtoheshin me nga një pikë.

PSG-ja pas kësaj ndeshje shkon në kuotën e 56 pikëve të grumbulluara si lider i Ligue 1, ndërsa Reims gjen veten në pozitën e nëntë me 35 sosh./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore