Telegrafi

PSG interesohet për futbollistin që dështoi te Barcelona, pritet oferta e parisienëve për Malcom

Braziliani Malcom ka tash e një kohë që luan te Zenit në Rusi, ndërsa para disa vitesh ishte konsideruar si njëri prej talentëve më të mëdhenj në Evropë.

Tani trajneri i Zenit, Sergej Semak tha se ende nuk ka mbërritur oferta zyrtare për brazilianin, por pretendon se ka interes nga PSG.

“Kam folur me Malcom, jemi në pritje të një oferte zyrtare, të cilën do ta mendojmë nëse vjen”, ka thënë Semak.

Kujtojmë se Malcom është sulmues 25-vjeçar, i cili ishte një dështim i madh për Barcelonën kur e bleu në vitin 2018.

Katalanasit paguan 40 milionë euro për të te Bordeaux, duke ia marr nga duart Romës, por ai nuk i justifikoi asnjëherë paratë e investuara dhe një vit më vonë shkoi në klubin rus për të njëjtën shumë.

Transfermarkt e vlerëson vlerën e tij në 24 milionë euro dhe ai ka kontratë me Zenitin deri në vitin 2027./Telegrafi/