Telegrafi

PSG fiton thellë ndaj Clermontit të Rashanit

Paris Saint-Germain ka fituar me rezultat të thellë 4-0 ndaj Clermontit në ndeshjen e vlefshme për javën e pestë në Ligue 1.

Kryeqytetasit kanë vazhduar serinë e qind për qind në kampionat, duke marrë edhe fitoren e pestë nga po kaq ndeshjes.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të PSG-së, që përveç rasteve arritën të shënojnë edhe dy gola.

Ishte mesfushori spanjoll, Ander Herrera, i cili në minutën e 20-të shënoi për 1-0, ndërsa në minutën e 31-të shënoi për 2-0 dhe me këtë rezultat ekipet shkuan në pushim.

Në pjesën e dytë, PSG ishte përsëri skuadër më e mirë duke arritur të shënojë edhe dy gola dhe ta marrë fitoren e radhës.

Kylian Mbappe u përkujdes që në minutën e 55-të të shënojë për 3-0, ndërsa Idrissa Gueye (65’) shënoi për rezultatin përfundimtar 4-0.

Ylli i Kosovës, Elbasan Rashani u inkuadrua në lojë në minutën e 62-të, por pa arritur të vendos diçka nga ndeshja, teksa te vendasit munguan dy yjet Lionel Messi dhe Neymar.

Pas kësaj fitore, PSG e sheh veten në pozitën e parë me 15 pikë, ndërsa Clermont e zë vendin e tretë me tetë pikë.

Në ndeshjen e radhës, parisienët luajnë në shtëpi ndaj Lyonit, ndërsa Clermonti e pret Brestin. /Telegrafi/