Telegrafi

PSG i pafuqishëm para padisë që mund ta bëjë Mbappe: Skenari që mund ta lirojë francezin nga kontrata me klubin parisien

Çështja “Kylian Mbappe” gjithashtu gjeneron debate në Itali. Mattia Grassani, një avokat që e njeh shumë mirë ligjet sportive (punon me disa klube të Serisë A) nuk përjashton që çështja të përfundojë në gjykatë me një përfundim befasues .

“Nëse vërtetohen sjelljet ngacmuese dhe diskriminuese, është e mundur prishja e kontratës”, deklaroi ai në kanalin ‘TvPlay’.

Italiani shpjegon: “Mbappe mund të shkëpusë kontratën nëse sjelljet nuk kufizohen në një mosthirrje për një ndeshje lige dhe, në vend të kësaj, janë një situatë e përsëritur e mungesës së konsideratës ndaj lojtarit dhe izolimit, për një arsye absolutisht të qartë: dëshirën e tij për të mos rinovuar”.

Lexo po ashtu Familja e gatshme ta pranojë: Zbulohet oferta e plotë e Al Hilal për Mbappen

Për Grassanin, data në të cilën do të fillojë Ligue 1 do të jetë kyçe për këtë çështje: “Kur një lojtar arrin vitin e fundit të kontratës së tij, në çdo nivel, faza është kritike dhe kontrata mund të prishet për shkak të njërit apo tjetrit”.

“Nëse deri më 13 gusht, Mbappe pengohet të kryejë aktivitete me ekipin e parë, të marrë pjesë në seancat stërvitore, në takime me trajnerët, duke qenë pjesë e thirrjeve, do të ketë kërkesat për t’iu drejtuar drejtësisë sportive franceze”.

Mbappe, në këtë mënyrë, mund të marrë “ndërprerjen e kontratës, një kompensim të rëndësishëm financiar dhe lirinë për të nënshkruar me çdo klub tjetër”.

Lexo po ashtu Mbappe merr gjithë vëmendjen në Twitter me postimin që ka shpërndarë

Unioni i Lojtarëve Francez, UNFP, kishte shprehur tashmë mbështetjen e tyre, duke deklaruar se pozicioni i PSG-së “përbën ngacmim moral” dhe duke u treguar të gatshëm për të ndërhyrë kundër parisienëve.

“Është një telenovelë”, shtoi Grassani, “dhe ne jemi vetëm në fillim: na kanë mbetur shumë kapituj me interes të madh ligjor”. /Telegrafi/