Telegrafi

PSG e ka njoftuar Neymarin për planet e klubit, braziliani pritet të largohet me Mbappen që do të jetë lider i ri

(Foto: Instagram/neymarjr)

Neymar është i vetëdijshëm se qëndrimit të tij te Paris Saint-Germaini mund t’i ketë ardhur fundit.

Lajmi i raportuar nga RMC është konfirmuar nga gazeta spanjolle, El Pais, të cilët iu janë referuar burimeve të afërta me presidentin e klubit, Nasser Al-Khelaifi.

Patroni i PSG-së dëshiron të imponojë më shumë disiplinë në skuadër me Kylian Mbappen që do ta udhëheqë strukturën e re.

Lexo po ashtu I padëshiruar te PSG - Neymar tani e do largimin nga “Parc des Princes”

Anësori francez thuhet ta ketë veçuar brazilianin për mungesë disipline në stërvitje dhe në periudhat pas ndeshjeve.

Ndryshimi te kampioni francez filloi pikërisht me rinovimin e Mbappe deri në vitin 2025 dhe vazhdoi me largimin e drejtorit sportiv, Leonardo dhe zëvendësimin e tij me Luis Campos.

I përballur me mundësinë e largimit, përfaqësues të PSG-së u takuan me babanë e Neymarit dhe i garantuan se do t’ia jepnin pagesat që do t’i detyroheshin.

Sipas El Pais, klubi i detyrohet deri në 200 milionë euro brazilianit sipas kontratës, prandaj është i gatshëm që t’ia japë pagën e plotë edhe te klubi i tij i ardhshëm (gjë që do të realizohej përmes fondacionit të tij në Brazili, Instituto Neymar Jr.).

(Foto: Instagram/neymarjr)

Burimet e PSG-së thonë se Luis Campos do të jetë njeriu prapa transferimit të Neymar, i cili nuk është i kënaqur me këtë trajtim dhe ndihet i përulur.

Lexo po ashtu ‘A është Neymar pjesë e projektit të ri’ – Al Khelaifi nuk jep siguri për qëndrimin e brazilianit te PSG

30-vjeçari nuk është stërvitur si duhet në sezonet e fundit dhe ka luajtur me tre apo katër kilogramë të tepërt, megjithatë ai është angazhuar më së shumti nga sulmuesit e skuadrës gjatë ndeshjeve.

Braziliani është i vetëdijshëm që në edicionin e kaluar nuk kishte qenë në formë të mirë dhe madje e kishte menduar largimin e tij qëkur PSG u eliminua nga Real Madridi në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/