Telegrafi

Pse u takuan Ramush Haradinaj e Ramiz Kelmendi? (Foto)

Burime të sigurta të Telegrafit, tregojnë për një takim të sotëm të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj me deputetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe biznesmenin Ramiz Kelmendi.

Burimet e njëjta thonë se Ramush Haradinaj i shoqëruar nga ish-kryetari i Pejës, Ali Berisha, është parë sot në ambientet e kabinetit të deputetit dhe biznesmenit Ramiz Kelmendi në Pejë.

Prezenca e Haradinajt dëshmohet edhe me foton e siguruar nga Telegrafi, ku shihen krahas në ambientet e ‘Elkos group’ në Pejë, makina që e shoqëron Haradinajn dhe ajo që e shoqëron Kelmendin.

Siç duket, takimi ka ardhur pas dorëheqjes nga radhët e PDK-së, të Ramiz Kelmendi, dy ditë më parë.

Kujtojmë se deputeti dhe biznesmeni Ramiz Kelmendi, për vite të tëra ishte pjesë e strukturave të larta të AAK-së, ku pati qëndruar deri në ditën e fundit të shpërbërjes së legjislaturës së shkuar të Kuvendit.

Edhe gjatë kohës së rrugëtimit të Kelmendit me PDK-në, nga të dyja palët si nga AAK edhe nga vet Kelmendi është vërejtur një kujdes në deklarimet publike për bashkëpunimin e mëparshëm. /Telegrafi/