Site icon Telegrafi

Pse u ndalua hyrja e ligjvënësve amerikanë në Izrael?

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ndalimi i një vizite të kongresisteve demokrate të SHBA-së, Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar kishte për qëllim t’i parandalonte ato të dëmtonin Izraelin.

“Nuk ka asnjë vend në botë që respekton SHBA-në dhe Kongresin Amerikan më shumë sesa Izraeli”, tha Netanyahu në një deklaratë.

“Sidoqoftë, itinerari tregoi se qëllimi i vetëm i kongresisteve ishte të dëmtonin Izraelin”, shtoi kryeministri izraelit.

Më herët, Izraeli njoftoi do të ndalojë një vizitë të dy kongresisteve amerikane, Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar, të cilat planifikuan të vizitojnë Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor.

“Vendimi është marrë, atyre nuk u lejohet të hyjnë”, tha zëvendës-ministrja e Jashtme izraelite, Tzipi Hotovely për Reshet Bet Radio.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i kishte sugjeruar më parë Izraelit të mos lejojë vizitën nga Tlaib dhe Omar, dy gratë e para myslimane të zgjedhura në Kongres dhe anëtare të Partisë Demokratike.

“Do të tregonte dobësi të madhe nëse Izraeli do të lejonte vizitën e Omar dhe Tlaib . Ato e urrejnë Izraelin dhe tërë popullin hebre. Nuk ka asgjë që mund të thuhet, ose të bëhet, për të ndryshuar mendjen e tyre. Minesota dhe Michigan do ta kenë shumë të vështirë t’i kthejnë në detyrë. Ato janë një turp!”, ka shkruar Trump në Twitter.

Pse u ndalua vizita e dy kongresisteve?

Dyshja kanë shprehur mbështetje për lëvizjen pro-palestineze ”Bojkot dhe Sanksione” (BDS). Sipas ligjit të Izraelit, mbështetësve të lëvizjes BDS mund t’iu mohohet hyrja në Izrael.

Ligji izraelit bllokon vizat e hyrjes për çdo të huaj që bën thirrje për çdo lloj bojkoti që shënjestron Izraelin – qoftë ekonomik, kulturor ose akademik.

Ligji përpiqet të shtypë lëvizjen BDS, e cila ka tërhequr mbështetje në rritje në të gjithë Evropën dhe SH.B.A.

Sipas mediave amerikane, udhëtimi i tyre ishte menduar të fillonte të dielën, dhe do të përfshinte një ndalesë në një nga vendet më të ndjeshme në rajon – një rrafshnaltë kodrinore në Jerusalem, e njohur për hebrenjtë si Mali i Tempullit dhe nga myslimanët si Haram al-Sharif.

Ato gjithashtu planifikuan të vizitojnë aktivistët e paqes izraelite dhe palestineze dhe të udhëtojnë në Jeruzalem dhe në qytetet e Bethlehemit, Ramallah dhe Hebron të Bregut Perëndimor.

Udhëtimi në Bregun Perëndimor ishte planifikuar nga Miftah, një organizatë e kryesuar nga negociatori palestinez Hanan Ashrawi.

Kongresistja Tlaib ishte duke planifikuar të qëndronte edhe dy ditë më shumë, për të vizituar gjyshen e saj, e cila jeton në një fshat palestinez.

Kush janë dy kongresistet demokrate?

Presidenti Trump, i cili ka një marrëdhënie të ngushtë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, shpesh është grindur me ligjvënëset dhe në deklaratat e fundit ndaj tyre, u tha të “kthehen” në vendet nga familjet e tyre nga kishin ardhur.

Kongresistja Tlaib – ligjëvënsja e parë e Kongresit Amerikan me prejardhje Palestineze – lindi në Michigan, dhe Zonja Omar është nga Minesota, por lindi në Somali.

Tlaib dhe Omar kanë shprehur mbështetje për lëvizjen pro-palestineze BDS si dhe kanë kritikuar politikat e Izraelit ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.

Në muajin korrik, Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA, votoi për të dënuar gjuhën e urrejtjes, si një masë drejtuar ndaj kongresistes Omar për kritikën e saj ndaj SHBA-së për shkak të mbështetjes së Izraelit.

“Gjithçka ka të bëjë me fëmijët e Benjaminit” (kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, kishte thënë kongresistja Omar duke i bashkuar kësaj shprehje edhe banknotën 100 dollarëshe. Deklarata e saj çoi në pretendime se ajo po përdorte një stereotip negativ për hebrenjtë.

Ajo më vonë kërkoi falje dhe tha se tweet-i kishte për qëllim të kritikojë lobistët, jo hebrenjtë. Ajo gjithashtu falënderoi “aleatët hebrenj dhe kolegët që po më edukojnë mbi historinë e dhimbshme të tropeve antisemitike”.

Cilat ishin reagimet pas ndalesës së Izraelit për dy kongresistet?

Ambasadori amerikan në Izrael, tha në një deklaratë se SHBA-ja” mbështet dhe respekton vendimin e Qeverisë së Izraelit për të mohuar hyrjen”.

Izraeli “ka çdo të drejtë të mbrojë kufijtë e tij kundër atyre aktivistëve në të njëjtën mënyrë siç do t’i ndalojë hyrësit me armë” shkroi ambasadori David Friedman.

Kongresisti demokrat i New Jersey Tom Malinowski e quajti vendimin “mosrespektim të Kongresit” dhe tha gjatë një udhëtimi ndër-partiak në Izrael javën e kaluar se zyrtarët kishin siguruar që kolegët e tyre do të lejoheshin të vizitonin.

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha se “kjo është thellësisht zhgënjyese”. Ajo e quajti mohimin e Izraelit “një shenjë dobësie” dhe tha komentet e Presidentit Trump “një shenjë injorance dhe mosrespektimi”.

A ka pasur ndalesa të tilla në të kaluarën?

Ndalimi i dy personaliteteve të huaja është i rrallë, por jo i pashembullt.

Makarim Wibisono, një raportuesit special i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, iu mohua hyrja në 2015 pasi Izraeli tha se mandati i tij ishte anti-Izrael.

Fouad Ahmad Assadi nga Partia Socialiste e Spanjës, u ndalua të hynte në Izrael muajin e kaluar sepse ai u vlerësua si kërcënim për sigurinë kombëtare.

Politikani me origjinë libaneze udhëtoi atje për të marrë pjesë në konferencën vjetore të Internacionales Socialiste në Tel Aviv dhe Ramallah – por atij iu mohua hyrja në aeroportin Ben Gurion.

Sidoqoftë, asnjë anëtar i Kongresit amerikan nuk është bllokuar deri më tani. Izraeli shpesh pret delegacione kongresistësh.

Në fillim të këtij muaji, 41 demokratë dhe 31 republikanë morën pjesë në një vizitë të sponsorizuar nga grupi i lobistëve AIPAC. /re/

Exit mobile version