Gërmimet për një dyshim për varrezë masive në skaj të urës së lumit Ibër në Mitrovicën e Veriut janë anuluar mbrëmë, një ditë para se të fillonin, për shkak të shqetësimeve të sigurisë për stafin që duhej t’i bënin ato, kanë konfirmuar autoritetet.
Sipas kryetarit të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj ka qenë zëvendës shefi i EULEX-it ai që ka njoftuar se punimet nuk do të nisin sot.
“Dje jemi dakorduar që të fillojnë gërmimet vlerësuese që ishim marrë vesh paraprakisht nga e premtja. Dje jemi këshilluar me të gjithë partnerët që janë të involvuar në këtë proces. Ka qenë prokurori dhe zëvendës prokurori i prokurorisë speciale, përfaqësues të EULEX dhe përfaqësues vendorë të mjekësisë ligjore, në prezencën e ministres Edita Tahiri jemi marrë vesh që sot do të zhvillohen punimet vlerësuese, mirëpo pasdite, diku rreth orës 20:50, e kam marr njoftimin që shtyhen punimet nga zëvendës shefi i EULEX-it. Arsyet nuk i dimë”, tha Gjetaj për KALLXO.com.
Ndërsa edhe kryetari i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, Burim Veliu tha që nuk di arsyet e anulimit.
“Kam pas informacione që kanë me fillu punimet sot, por mora vesh që s’do të ndodhin. As nuk më thanë arsye as pse asnjë send ma tepër nuk e di”, tha Veliu.
Mirëpo, Misioni i EULEX-it thotë se gërmimet janë ndalur për shkaqe të sigurisë.
“Misioni ka pezulluar përkohësisht gërmimet për shkak të shqetësimeve për sigurinë e stafit”, thuhet në përgjigjen e Misionit të EULEX-it.
KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me ministren për Dialog Edita Tahiri dhe këshilltarin e saj, por kanë qenë të paqasshëm.
Gërmime ka pasur edhe gjatë verës brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku ishin gërmuar 3 lokacione, por që nuk është gjetur asnjë varrezë masive.
Disa herë kryetari i Komisionit Qeveritarë për personat e pagjetur, Prenk Gjetaj kishte thënë që politika po e mbanë peng çështjen e të pagjeturve.
Lokacioni ku ka qenë e vendosur xhamia e djegur gjatë luftës nga forcat serbe, në shtator të këtij viti është vizituar nga një delegacion i Bashkësisë Islame të Kosovës.