Turqia festoi disfatën e Hillary Clintonit. Me presidentin e ri amerikan Erdogani synon një aleancë të qëndrueshme. Për t’u diskutuar fati i Gylenit, mbështetja amerikane për kurdët dhe ambiciet turke në “Sirak”.
Barack Obama, Joe Biden, John Kerry, Hillary Clinton. «Ja emrat që nga sot e prapa do të fshihen nga rendi i ditës». Mediat proqeveritare mezi e kanë përmbajtur kënaqësinë për fitoren e befasishme të Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane. Ose më mirë, për humbjen e Hillary Clintonit, që për Ankaranë ishte kandidatja e Gylenit dhe e PKK-së. Euforia e humbjes së Hillary-së buron nga bindja se me ish Sekretaren e Shtetit në Shtëpinë e Bardhë, politika e Shteteve të Bashkuara kundrejt Turqisë do të vazhdonte në shenjën e vijueshmërisë. Kështu që fitorja e Trumpit, përfaqëson një rreze drite.
Ajo përfaqëson shpresën që Turqia dhe Shtetet e Bashkuara mund të kthehen të jenë aleatë, të ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta. Më specifikisht, turqit shpresojnë që me Trump në presidencë amerikanët të reshtin së mbështeturi dy organizatat terroriste më të rrezikshme të Lindjes së Mesme: lëvizjen gyleniste dhe PKK-në. Për të mos folur për Shtetin Islamik, që Trumpi e konsideron një krijesë të Obamas dhe Hillary Clintonit.
Drejtuesit kryesorë të Republikës së Turqisë e kanë pritur triumfin e Trumpit, me vlerësime që shkojnë përtej shprehjeve të zakonshme të rastit. Presidenti i Turqisë, Erdogan ka njoftuar “fillimin e një ere të re”, të mbarsur me “zhvillime pozitive”. Kryeministri Binali Yıldırım e ka quajtur fitoren e manjatit amerikan, “një rast për t’i çuar më përpara marrëdhëniet turko – amerikane”, në mënyrë të veçantë në profilin e luftës kundër terrorizmit. Yiğit Bulut – superkëshilltari ekonomik i Erdoganit, i njohur nga mediat pasi ka paralajmëruar shefin e tij kundër rrezikut të sulmeve telekinetike – ka arritur deri aty, sa të sulmojë besueshmërinë e tregjeve financiare, për reagimin nervoz ndaj rezultatit të zgjedhjeve presidenciale amerikane.
Është mirë të theksohet se turqit gëzohen jo edhe aq për fitoren e Trumpit, sesa për humbjen e Hillary Clintonit.
Me Trumpin “ka fituar paqartësia”, gjë që është gjithmonë më mirë sesa qartësia e të pasurit një aleat, Shtetet e Bashkuara të Obamas dhe Hillary Clintonit, që i ofron mbrojtje dhe mbështetje ushtarake armiqve kryesorë të Turqisë.
Me kalimin e euforisë fillestare, turqit duhet gjithsesi të zgjidhin të panjohurën Trump sa më shpejt që të jetë e mundur. Ofensiva tashmë ka filluar. Ai që e drejton, në orët menjëherë pas njoftimit zyrtar të fitores së Trumpit, ka qenë Ibrahim Kalin, zëdhënësi i presidencës së Republikës.
Para së gjithash, Kalın ka tentuar të sqarojë atë që turqit e mendojnë prej kohësh, por gjithmonë e kanë thënë me gjysmë zëri: “Nëse gjërat në Siri kanë arritur në pikën ku janë, faji është i politikave të Obamës”.
Nga këtu buron pritshmëria e parë e Ankarasë: Në vend të PKK-së, Shtetet e Bashkuara të Trumpit duhet të kthehen e të synojnë mbi forcat e armatosura e Republikës së Turqisë në luftën kundër IS-it në Sirak. Por më shumë se kurdët, në periudhën afatshkurtër, ai që do të vendosë fatin e marrëdhënieve turko – amerikane do të jetë pozicioni që presidenti i sapozgjedhur amerikan do të mbajë lidhur me çështjen kontradiktore të ekstradimit të Fetullah Gylenit, të cilin Erdogani e konsideron si dorasin e grushtit të shtetit të dështuar të 15 korrikut.
“Në qoftë se na kthen Gylenin, ju garantoj se për marrëdhëniet turko – amerikane do të ketë një fillim të ri. Mund të hapim një faqe të re”.
Apeli i bërë Donald Trumpit nga kryeministri turk Binali Yıldırım me 9 nëntor përmbledh mjaft mirë pritshmëritë e Ankarasë, lidhur me temën që qysh nga 15 korriku helmon raportet midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara. Në 4 muajt e fundit, qeveria turke ka kërkuar me çdo mënyrë që ta bindë administratën Obama, në mos ta ekstradojë Gylenin, të paktën të nisë një diskutim serioz mbi oportunitetin e qëndrimit në Amerikë të kreut të një organizate terroriste që ka përdorur avionët luftarakë turq, për të sulmuar parlamentin e Ankarasë dhe civilët e paarmatosur.
Së fundmi, Ministri i Drejtësisë Bekir Bozdağ e ka provuar në fund të tetorit me rastin e takimit me homologen e tij amerikane Loretta Lynch. Natyrisht, pa sukses. Optimizmi i moderuar me të cilin liderët turq presin një mosvijueshmëri të mundshme të administratës Trump lidhur me temën e ekstradimit të Gylenit, përqendrohet kryesisht në 3 faktorë. I pari, simbolik, është fitorja e Trumpit në Pennsylvania, shtet ku predikatori qëndron në ekzil vullnetar nga 1999. I dyti, pak i sforcuar, është kolapsi i uebsajtit të zyrës së emigracionit kanadez, sipas mediave turke i shkaktuar nga sulmi i gylenistëve, të terrorizuar nga fitorja e Trumpit. Ose më mirë, nga humbja e Hillary Clintonit. I treti, shumë më konkret, është qasja ndaj dosjes Gylen e Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të Trumpit, Michael T. Flynn.
Në një artikull të botuar me 8 nëntor tek “The Hill”, ky i fundit e quante Gylenin “një mullah të pakuptueshëm”, që “paraqitet si i moderuar, por që në realitet është një islamist radikal”. “Rrjeti i gjerë global i Guylenit”, vazhdon Flynn, “i përshtatet përsosshmërisht përshkrimit të një rrjeti të rrezikshëm terrorist të fjetur”. Kështu, këmbëngul ish gjenerali në lirim, amerikanët duhet të kuptojnë se “nga këndvështrimi i Turqisë, Uashingtoni po i ofron mikpritje Osama bin Ladenit të saj”.
Pohime të forta, sidomos po të kihet parasysh se vijnë nga ai që Trumpi e ka emëruar si Këshilltar për Sigurinë Kombëtare dhe që me 15 korrik, me rastin e një fjalimi në Cleveland, lavdëroi kryengritjen e ushtarakëve turq. Një kthesë e fortë kjo e Flynnit, që konfirmon sesi gjeopolitika e Trumpit mbetet një e panjohur dhe sidomos për të interesuarin e drejtpërdrejtë.
Megjithatë, optimizmi i turqve rrezikon që të transformohet në zhgënjim të hidhur sapo Trumpi të hyjë në Sallën Ovale. Në fakt, Gyleni është njeriu i CIA-s. Lidhur me këtë temë, Shtëpia e Bardhë duket se ka një hapësirë manovre mjaft të reduktuar. Debati lidhur me rifutjen e dënimit me vdekje, spastrimet në sistemin gjyqësor dhe, më në përgjithësi, presioni i mëtejshëm kundër disidentëve dhe opozitarëve nga ana e qeverisë turke nuk përfaqësojnë sigurisht rrugën më të mirë për të siguruar ekstradimin e Gylenit. Në fakt, edhe Trumpit do t’i duhet të mbajë parasysh rezistencat e ndryshme të aparateve dhe të opinionit publik. Por Flynni e ka lidhur me fill të dyfishtë ekstradimin e Gylenit, me rëndësinë e jashtëzakonshme të marrëdhënieve turko – amerikane. Këshilltari i Trumpit e nis në fakt analizën e tij duke kujtuar se “Turqia është jetike për interesat amerikane” dhe e përfundon, duke paralajmëruar se “në këtë krizë është imperative për ne që të kujtojmë se cilët janë miqtë tanë të vërtetë”.
Një konfirmin i mëtejshëm i faktit që me Trumpin, teorikisht gjithçka mund të jetë e mundur. Sepse “harta gjeopolitike e Donald Trumpit është e bardhë”. Neopresidenti e shpall veten izolacionist. Në fushatë ka theksuar se Shtetet e Bashkuara duhet ta linin Shtetin Islamik dhe al Assadin të përlesheshin me njëri-tjetrin, për të ndërhyrë më pas kur do të ishte e mundur të plazmoheshin, në avantazhin e tyre, ekuilibrat gjeopolitikë “sirakenë”. Muzikë për veshët e Erdoganit. Një çimpenjim eventual nga Siraku do të barazvlerësohej për turqit në një reduktim të mbështetjes ndaj PKK/PYD. Më saktësisht, në një reduktim të fluksit të armëve amerikane drejt terroristëve kurdë. Dhe ndoshta nuk është edhe aq fantazi të hidhet hipoteza se, në kushte të caktuara, Trumpi mund t’i mbyllë deri të dy sytë, përballë sulmit të dëshiruar të forcave të armatosura kurde ndaj bazave të PKK-së në Siri.
Izolacionizmi relativ dhe eventual i Amerikës së Trumpit do të implikonte në fakt ndërtimin e një sistemi aleancash të Lindjes së Mesme, më të qartë se ai i konceptuar nga administrata Obama. Trumpi, është e njohur, nuk ushqen ndonjë simpati të madh për myslimanët. Mënyra me të cilën i është kundërpërgjigjur të dërguarit të Aljazeerit pak minuta pas njoftimit të triumfit të tij, konfirmon se antipatia e tij ndaj myslimanëve është e thellë dhe e sinqertë, gjë që, nga perspektiva turke, përbën një pikë në favor të presidentit të ri amerikan. Më mirë një kundërshtar që nuk e fsheh përçmimin e tij për një mik fals, që me njërën dorë promovon “demokracinë” në Lindje të Mesme dhe me tjetrën mbështet të gjithë kundër-revolucionet rajonale.
Duke filluar nga Gezi Park. Pavarësisht antipatisë së tij ndaj islamit, nëse Trumpi dëshiron të shkëputet nga kaosi i Lindjes së Mesme, do t’i duhet patjetër që të bashkëpunojë ngushtësisht me një fuqi rajonale myslimane. Ka shumë të ngjarë, neopresidenti amerikan nuk e ka individualizuar akoma çelësin e tij personal të leximit të gjeometrive të ndryshme të trekëndëshit turko – iraniano – saudit. Por duke pasur parasysh natyrën e Trumpit, fakti që Erdogani është lideri i vetëm i një fuqie të madhe myslimane i veshur me kostum e kollare mund të jetë një faktor i mjaftueshëm për ta rilançuar aleancën strategjike turko – amerikane.
“Shtetet e Bashkuara tallen me Turqinë”. Titulli i së përditshmes nacionaliste “Yeni Safak” përmbledh mjaft mirë frustrimin dhe dëshpërimin e turqve për situatën “tërhiq e mos këput” me Uashingtonin për rolin e PKK/PYD në operacionet ushtarake që synojnë të çlirojnë zonat e Manbiãs dhe Raqqas nga Shteti Islamik. Me 8 nëntor, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Mark Toner ka deklaruar në mënyrë të bujshme se, ndërsa vënë në lëvizje terroristët e YPG-së drejt Raqqas, amerikanët “dëgjojnë shqetësimet e Turqisë”. Një ditë më parë, Pentagoni kishte shpallur një marrëveshje afatgjatë midis Ankarasë dhe Uashingtonit lidhur me menaxhimin e Raqqas, në fazën e mëpasshme të çlirimit nga Shteti Islamik.
Marrëveshje që përfaqëson rezultatin e takimit kokë me kokë prej 4 orësh midis Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura turke Hulusi Akar dhe homologut të tij amerikan Joseph Dunford. Tjetër tallje, po të kesh parasysh se në Lindje të Mesme, periudha e gjatë matet në terma orësh. Për momentin, ka vetëm 2 elementë të qartë. I pari është se koordinimi turko – amerikan do të garantohet nga një tjetër oficer i lartë i forcave të armatosura amerikane, i ngulur në zyrat e Shtabit të Përgjithshëm në Ankara. Një dredhi që i ka tërbuar nacionalistët. I dyti është se Uashingtoni ka vendosur ta ndërpresë shitjen e mitralozëve M240 për Turqinë. Bëhet fjalë për armë pa ndonjë vlerë strategjike, por sinjali është i qartë. Ajo që i irriton më shumë turqit nga pantonima e realizuar prej amerikanëve në Siri është se ambiguiteti i Uashingtonit vendos faktikisht në të njëjtin plan, forcat e armatosura e Turqisë, vend kandidat për të hyrë në Bashkimin Europian dhe anëtarët e Aleancës Atlantike, me milicitë terroriste të YPG-së. Gjë që indirekt redukton ndjeshëm potencialin negociues të Ankarasë në raport me Moskën.
Në fakt, deri kur amerikanët do të vazhdojnë të mëshojnë fort mbi kartën kurde në Siri, rusët nuk do të mund t’ia kthejnë krejtësisht krahët PKK/PYD-së. Gjëja që e dëshmon është takimi i 17 shtatorit në bazën e Õmaymøn midis 8 funksionarëve të ministrisë së Mbrojtjes dhe të Jashtme ruse, delegatëve të PYD-së dhe të regjimit sirian. Rusët i kanë propozuar al Asadit që t’i njohë Rojavas një status special në brendësi të Republikës. Me fjalë të tjera, Moska e ka rilançuar me forcë perspektivën e një federate kurdo – arabe në Siri. Jo vetëm. Me 5 nëntor gjenerali rus Marat Musin dhe eksponentë të ndryshëm të PKK/PYD kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp në Afrøn, kanton i Rojavas që duket se përfaqëson prioritetin e vërtetë ushtarak afatshkurtër të Turqisë në Siri. Nëse marrëveshja ruso – kurde mbi evolucionin në kuptimin federal të asaj që mbetet nga shteti sirian ka rënë poshtë vetëm falë kundërshtimit të regjimit të al Assad. Kjo konfirmon sesi për Ankaranë është një imperativ kategorik zbutja e tensioneve me njeriun e fortë të Damaskut.
Në këtë kontekst, nuk është aspak e qartë sesi ardhja e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë mund të influencojë mbi raportet e forcës dhe mbi ndërthurjen e aleancave në skakierën siriane. Në fushatën elektorale presidenti i ri amerikan ka pohuar se ka respekt për luftëtarët e YPG-së, por nuk ka shkuar më tej. Në ndryshim nga Hillary Clintoni, e cila e kishte bërë bukur të qartë se kuptohej se po të zgjidhej presidente do të vazhdonte t’i armatoste kurdët sirianë. Nga ana tjetër, siç nuk kanë munguar të kujtojnë mediat turke të nesërmen e zgjedhjeve, PKK/PYD i ka marrë armët e para kur Hillary ishte Sekretare Shteti. Dhe këtu kthehemi në pikën e nisjes. Për turqit, evenimenti i 9 nëntorit nuk ka qenë fitorja e Trumpit, por humbja e Hillary Clintonit. Edhe për një arsye që qëndron jashtë marrëdhënieve turko – amerikane në kuptimin e ngushtë. Semih İdiz ka nënvizuar sesi ata turq që shpresonin në fitoren e Trumpit, të bindur se manjati do t’i shkaktonte dëme të mëdha vendit më pak të dashur prej tyre, Shteteve të Bashkuar, po qeshin të fundit.
Me fjalë të tjera, ndoshta Trumpi nuk do t’ia kthejë Gylenin Turqisë, nuk do ta ndalë fluksin e armëve drejt PKK/PYD dhe nuk do ta autorizojë Erdoganin të sillet lirisht në “oborrin e shtëpisë” së tij. Por për Shtetet e Bashkuara mund të rezultojë më shumë një barrë sesa një aset, gjë që, me kohërat që janë, është tashmë diçka jo e vogël. Si gjithmonë, ai që i jep zë kësaj ndjenje ka qenë kryeredaktori i “Yeni Safak”, İbrahim Karagül, njeriu që shkruan atë që Erdogani mendon, por nuk mund ta thotë. Në editorialin e tij të 10 nëntorit, Karagül pranon se me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, marrëdhëniet turko – amerikane, të paktën në linjë teorike, mund të përmirësohen ndjeshëm. Sidomos në profilin e krizës së gjeneruar nga prania e Gylenit në Shtetet e Bashkuara dhe rolin e PKK/PYD në lojën sirakene.
Por Karagüli kujton edhe se Turqia tashmë nuk ka më as miq, as armiq. Nëse politikat e Obamës dhe Hillary Clintonit e kanë dëmtuar fuqishëm Lindjen e Mesme, armiqësia e hapur e Trumpit dhe e republikanëve ndaj myslimanëve nuk premton asgjë të mirë. Kështu që për turqit ndryshon pak ose, më mirë, ndryshon shumë. Karagüli nënvizon në fakt në mënyrë jo shumë sibiline se Trumpi mund të jetë insiatori i një lloj perestrojke amerikane në gjendje, siç sugjeron titulli i editorialit, që t’i përçajë Shtetet e Bashkuara. Si fillim, nuk është keq.
E ndryshme në fakt perspektiva e İlnur Çevikut, këshilltarit politik të Erdoganit, që e ka krahasuar triumfin e Trumpit me fitoren e AKP-së në zgjedhjet parlamentare të nëntorit 2002. Në këtë kuptim, është interesante të vërehet sesi lexuesit e “Yeni Safak” e kishin parashikuar saktë fitoren e manjatit në zgjedhjet amerikane, në konfirmim të faktit që një fshatar nga Anadolli është në gjendje ta interpretojë sjelljen elektorale të mashkullit të bardhë amerikan, shumë më mirë sesa një sondazhist i Manhattanit. Optimizmi i Çevikut buron nga qëllimi i vetëm i politikës së jashtme të Trumpit, mbi të cilin ia vlen barra qiranë të arsyetohet: çtensionimi me Rusinë. Në fakt, sipas Çevikut, neopresidenti amerikan do të lidhë një aleancë shumë të ngushtë me Erdoganin dhe Vladimir Putinin. Siç ndodh shpesh, turqit e mbivlerësojnë veten dhe nënvlerësojnë aftësinë e të tjerëve në arritjen e interesave të veta.
Padyshim, nga perspektiva turke, qasja e Trumpit ndaj marrëdhënieve me Rusinë përfaqëson një zhvillim të favorshëm. Për Ankaranë, një ashpërsim i mëtejshëm i raporteve midis Uashingtonit dhe Moskës do të ishte katastrofë, nga momenti që do t’i detyronte turqit të bënin një zgjedhje kampi, që nuk u vjen për mbarë. Një prej pasojave të “doktrinës Erdogan” – atë që nuk mund ta marrim nga amerikanët, le ta marrim nga rusët – buron në fakt pikërisht nga mundësitë që rrjedhin nga prania e zonave të shumta gri midis “aleancës” me Shtetet e Bashkuara dhe mirëkuptimit me Rusinë. Por po aq katastrofike do të ishte një marrëveshje e përgjithshme ruso – amerikane lidhur me Sirinë e Irakun. Vetëm kush është tashmë i prekur nga autizmi i pashërueshëm erdoganian mund ta imagjinojë në fakt, se një marrëveshje eventuale “sirakene” midis Trumpit dhe Putinit, mund të ketë si pasojë avullimin e Rojavas dhe pushtimin turk të Afrønit, Tall Abyaît, Kobanit, al-Båbit, Manbiãs, Raqqas, Mosulit, Tall Afarit, Kirkûkut dhe të gjitha vendeve të tjera në të cilat Erdogani synon të dërgojë Mehmetçikët e tij.
Për momentin, gjëja e vetme e qartë është se pavarësisht të gjitha të panjohurave të lidhura me figurën e Trumpit, vështirë se turqit do ta qajnë Obamën dhe zgjedhjen e munguar të Hillary Clintonit. /Bota.al/