Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump do të jetë i liruar nga rasti për mashtrim zgjedhor edhe pasi të largohet nga zyra në vitin 2029, ka thënë një ish-prokuror federal.
Neama Rahmani i tha Newsweek se afati i ndjekjes penale do të ketë përfunduar deri në momentin kur 78-vjeçari të largohet nga zyra, dhe prokurorët nuk do të jenë në gjendje të ringjallin rastin.
Trump u akuzua në Washington, D.C., për katër raste të lidhura me përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, në prag të trazirave të 6 janarit 2021 në Kongresin amerikan.
Republikani ka deklaruar me dhjetëra herë se është i pafajshëm dhe se rasti është pjesë e një “gjuetie politike ndaj tij”, transmeton Telegrafi.
Rahmani, tashmë president i firmës ligjore West Coast Trial Lawyers në Kaliforni, tha se të gjitha ndjekjet penale federale ndaj Trumpit tani kanë marrë fund.
“Pasi rasti për mashtrim zgjedhor të mbyllet, nuk mund të hapet sërish pasi Trump të largohet nga zyra sepse afati i ndjekjes do të ketë kaluar. Afati për shumicën e krimeve federale është pesë vjet. Tani që Trump ka fituar, ndjekjet penale kanë përfunduar”, tha ai.
Profesori i së drejtës në Universitetin e New Yorkut, Stephen Gillers, ra dakord se çështja kundër Trumpit tani është e mbyllur dhe se republikani mund t’i kërkojë Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë të shkarkojë prokurorin special, Jack Smith.
“Trump ndoshta nuk mund ta bëjë vetë, pasi ai nuk e ka emëruar Smithin. Prandaj [ish-presidenti Richard] Nixon kishte nevojë për dikë tjetër për të shkarkuar Archibald Coxin, gjë që çoi në masakrën e së shtunës në mbrëmje. Këtë do ta bëjë Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, pasi do të duhet kohë para se të konfirmohet një Prokuror i Përgjithshëm”, tha Gillers.
Në maj të vitit 1973, Prokurori i Përgjithshëm, Elliott Richardson, ish-student i Coxit, e emëroi atë si prokuror të posaçëm për Watergate.
“Kur hetimi i Senatit zbuloi ekzistencën e audio-regjistrimeve të urdhëruara nga presidenti Richard Nixon, Prokurori i Posaçëm Cox i kërkoi ato me fletëthirrje nga punëdhënësi i tij”, thuhet në faqen e internetit të Departamentit të Drejtësisë.
Pasi dy apelime të fletëthirrjeve u refuzuan, presidenti ofroi t’i jepte Senatit dhe Coxit përmbledhje me shkrim të asaj që ndodhej në audio-regjistrimet. Cox e refuzoi marrëveshjen. Nixon më pas i urdhëroi Richardsonit ta shkarkonte atë. Por, prokurori i përgjithshëm refuzoi, dhe e njëjta gjë ndodhi me Zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm William Ruckelshaus.
Nixon iu drejtua atëherë Solicituesit të Përgjithshëm, Robert Bork, i cili e ekzekutoi urdhrin. Ngjarja u bë e njohur si ‘Masakra e Shtunës Mbrëma’.”
Trump i tha drejtuesit të radios konservatore Hugh Hewitt më 26 tetor se, nëse ai zgjidhet president, do ta shkarkojë Smith “brenda dy sekondash” pas marrjes së detyrës.
Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland e emëroi Smithin si një këshilltar të posaçëm të pavarur për të mbikëqyrur çështjet federale ndaj Trumpit.
Garland kërkoi të shmangte një konflikt interesi: nëse Departamenti i Drejtësisë nuk është drejtpërdrejt duke ndjekur penalisht Trumpin, atëherë nuk duket sikur administrata Biden po e persekutonte Trumpin.
Greg Germain, profesor i së drejtës në Universitetin Syracuse në New York, deklaroi se Smith do të japë dorëheqje para se t’ia lejojë kënaqësinë e shkarkimit Trumpit.