A ju ka ndodhë shpesh të dëgjoni shprehjet dhe ankimet nga punëdhënësit në sektorin privat si në vijim: ‘nuk ka njerëz të mirë’; ‘kërkush nuk po punon’; ‘krejt po m’duhet vet me i kry’; ‘s’munesh me i besu kërkujt’; jom lodhë po s’po muj me delegu se kërkush s’po ka lidhje me i kry punët qysh duhet’; ‘me pasë gjetë dikon në vend të pozitës sime në ven isha tërhekë se jam lodhë’; e kështu me rradhë… Këtë hyrje e bëra vetëm që të filloj të diskutoj për “problemin” me të cilin po ballafaqohen punëdhënësit në Kosovë.
Nëse analizohen këto fraza, prapa tyre fshihet vetlëvadata dhe ushqimi i egoizmit personal; distancimi prej të tjerëve dhe mendimi se vetëm ai/ajo janë të mirë e tjerët nuk kanë as përafërsisht aftësitë e tyre. Kjo qet në pah mosgatishmërinë për delegim dhe rezulton në distancim komplet dhe mbyllje në vetvete dhe në një botë paralele të vetkrijuar. Njeriu është pjesë e shoqërisë dhe secili prej nesh është pjellë e MEMORIES KOLEKTIVE dhe EVOLUCIONIT KOLEKTIV prandaj është ARROGANTE të thuhet që në krejt Kosovën NUK paska NJERËZ të DUHUR. Unë jam e BINDUR që KA NJERËZ të DUHUR, por e kemi të vështirë t’i gjejmë për shkak se PARAGJYKOJMË dhe duam që të tjerët të jenë si ne.
STEPHEN R. COVEY autori i 7 HABITS of HIGHLY EFFECTIVE PEOPLE the 8th HABIT, jep një lloj udhërrëfyesi me këshilla të strukturuara, praktike e të kapshme/mundshme për të gjithë njerëzit të cilat mund të ju ndihmojnë në raport me tjerët duke filluar në familjen, shoqërinë, grupet dhe në vendin e punës. Mjetet që i ofron janë shumë praktike, por në të njëjtën kohë edhe shumë personale. Porosia themelore e librit është se mënyra e vetme që ndihmon çdonjërin prej nesh që të jetë më i mirë, më efektiv,më i arritur në jetë e sidomos të jetë i lumtur, është vetëm nëse fillojmë të ndryshojmë veten, JO TJERËT!
Asnjëri prej nesh nuk mund të ndryshon të tjerët pasi çdo qenie është komplekse me tiparet e veta gjenetike që i ka trashëguar nga mijëra vite të ekzistencës së njerëzimit në Tokë. Gjenet tona bartin informata dhe eksperienca shumë të vjetra prandaj çdonjëri prej nesh e ka një personalitet të krijuar që në lindje e që vije në shprehje dhe komplementohet nga rrethanat ku rritemi dhe ku piqemi si personalitete. Prandaj është e kotë që të tentojmë t’i ndryshojmë të tjerët. As prindërit nuk mund t’i ndryshojnë karakteret e fëmijëve të tyre, ata mund të ndrydhin personalitetet e tyre me dhunë, por kurrë nuk do të mund ta ndryshojnë esencën/bërthamën e personalitetit të fëmijës, pas një shtypjeje të gjatë fëmija do të shpërthejë (për të mirë apo për të keq për shoqërinë). Këtë e vërteton se edhe fëmija i një njeriu shumë të ditur dhe gjenial nuk është i njëjtë si prindi i vet, mund të ketë disa tipare, por mund të mos jetë as përafërsisht gjenial apo i suksesshëm si prindi i vet. Të gjithë ne bartim në vete personalitete unike që kanë nuanca të ndryshme që na bëjnë të ngjashëm si njerëz, por, asnjëri prej nesh nuk punon njëjtë si tjetri, nuk ka qasje të njëjtë me tjetrin ndaj një problemi të njëjtë, nuk ka mendim të njëjtë për fenomenet dhe çështjet në shoqëri; lista do të jetë e pafund. Prandaj bota dhe njerëzit janë ashtu si i shohim ne personalisht.
Fatkeqësisht askush prej nesh nuk e praktikon vesin e 5-të (eng. 5th habit)të Covey-t që thotë: “SË PARI MUNDOHU TË KUPTOSH TJETRIN E PASTAJ TË TË KUPTOJNË” (eng. “Seek first to understand then to be understood”). Ky ves është më i vështiri që të praktikohet për arsye se ne të gjithë duam që të tjerët të na kuptojnë e ne as që bëjmë përpjekje ta KUPTOJMË palën tjetër/personin tjetër. Ky është problemi kryesor pse lindin aq shumë mosmarrëveshje në mes të çifteve, familjeve, raportit punëdhënës-punëtor. Të gjithë duam të plotësojmë vetëm kërkesat tona duke harruar që ato varen nga të tjerët, e të tjerët i kanë botëkuptimet e tyre ndryshe prej nesh pasi që perceptimet e tyre janë ndryshe. Nëse DONI të KUPTONI TIPET e NJERËZVE mund të lexoni më shumë për Spiral Dynamics. Prandaj kjo qe një këshillë për pronarët dhe menaxherët të cilët nuk kanë kohë të merren me personalitete dhe me natyrën njerëzore që të ndalen dhe të dëgjojnë përreth se çfarë kanë të thonë të tjerët, ose të kërkojnë ekspertizën e atyre që kanë njohuri në këtë fushë.