Tottenham Hotspur i tronditi të gjithë të hënën në mbrëmje pasi konfirmoi se do të ndërpresë kontratën me mbrojtësin e krahut, Matt Doherty.
Reprezentuesi i Republikës së Irlandës vulosi një lëvizje fillestare huazimi te gjigantët e La Ligës Atletico Madrid të martën. Ai nuk ishte më pjesë e planeve të Antonio Contes pasi pësoi një lëndim në gju në fund të sezonit të kaluar.
Trajner i Spurs kishte zgjedhur të luante me Emerson Royal në krahun e djathtë, ndërsa ata kishin përfunduar nënshkrimin e yllit të Sporting Lisbonës, Pedro Porro më herët gjatë ditës.
Doherty, i cili iu bashkua Tottenhamit nga Wolverhampton Wanderers në vitin 2020, kishte dëshmuar të ishte një lojtar solid i skuadrës gjatë kohës së tij në Londrën veriore.
Ai bëri 71 paraqitje gjithsej, megjithëse Conte pretendoi se nuk po e shihte atë në ‘mënyrën e duhur’ për të filluar ndeshjet e Ligës Premier në tetor.
Spurs njoftuan më vonë të martën se kishin rënë dakord të ndërpresin kontratën e Dohertyt në mënyrë që ai të mund t’i bashkohet Atleticos në një marrëveshje të përhershme. Në një deklaratë zyrtare thuhet : “Ne kemi rënë dakord reciprokisht për përfundimin e kontratës së Matt Dohertyt për t’i mundësuar atij t’i bashkohet një klubi tjetër”.
“I nënshkruar nga Wolverhampton Wanderers në gusht 2020, reprezentuesi i Republikë së Irlandës bëri 71 paraqitje për ne në të gjitha garat, duke shënuar tre gola”.
“Dëshirojmë të falënderojmë Matt për shërbimin e tij dhe t’i urojmë mirë për të ardhmen”, thuhej në njoftimin e klubit anglez.
Por, pse Spurs liruan një lojtar për të cilin shpenzuan 18 milionë euro vetëm tre vjet më parë?
Gjithçka varet nga numri i lojtarëve që ata kanë aktualisht në huazim në klube jashtë Mbretërisë së Bashkuar.
Numri maksimal i huazimeve ndërkombëtare është tetë, një shifër që Spurs e arriti gjatë ditëve të fundit pasi lejuan Bryan Gil të bashkohej me Sevilla dhe Djed Spence në Rennes.
Spurs tashmë kishte gjashtë lojtarë në huazim para afatit kalimtar të janarit. Mbrojtësi i majtë Sergio Reguilon aktualisht po luan te Atletico, ndërsa Giovani Lo Celso është gjithashtu në La Liga me Villarrealin.
Mesfushori Harry Winks është aktualisht me Sampdorian në Serie A, ndërsa Tanguy Ndombele mund të fitojë titullin në Itali me Napolin. Destiny Udogie nënshkroi për Spurs në verë nga Udinese, por është duke kaluar pjesën tjetër të këtij sezoni me ish-klubin e tij.
Qendërmbrojtësi Joe Rodon është në Rennes, kështu që ai do të ketë Spencen si bashkëlojtar. Doherty duke u huazuar do të kishte çuar numrin në nëntë, gjë që është kundër rregullave të FIFA-s.
Spurs vendosi të ndërpresë kontratën e Dohertyt, e cila do të skadonte në vitin 2024, si një gjest vullneti të mirë. /Telegrafi/