Në një kohë kur e kemi shumë të nevojshme që Kosova të njihet nga shtetet e tjera të botës, kur politika jonë e jashtme thotë se po bën përpjekje të mëdha për fituar simpatinë e shteteve të tjera, kur ndahet një pjesë e madhe e buxhetit për investime në këto politika, dhe kur në anën tjetër rezultatet e këtyre përpjekjeve janë minimale (e kujtojmë këtu informatën nga njohja e fundit, e cila arriti pas më shumë se dy muajve që nuk patëm asnjë njohje), fajin nuk duhet kërkuar tek të tjerët.
Si duket përpjekjet që bën politika e jashtme për të përfituar simpatinë e shteteve të tjera, nëpërmjet vizitave, udhëtimeve dhe paraqitjeve luksoze të pushtetarëve tanë, përkundër shpenzimeve marramendëse, mbeten përpjekje e pamjaftueshme për të arritur njohjet. Mbeten të pamjaftueshme pasiqë mungojnë përpjekjet e tjera në fushën e kulturës, mungojnë angazhimet në sferën e diplomacinë kulturore ku nëpërmjet investimeve në projekte kulturore, në prezantime të punës cilësore, akademike, në shkëmbimin e përvojave të rangut të njëjtë arsimor, kulturor, shkencor e akademik, Kosova do të arrinte të prezantohej denjësisht. Mungojnë vullnetet për t’i përkrahur projektet e tilla. Madje edhe kur ekzistojnë ato, nënvlerësohen, injorohen e mohohen.
Në muajin e kaluar dy punonjës shkencorë të Institutit Albanologjik, pasiqë ishin paraqitur për pjesëmarrje me kumtesa në një konferencë ndërkombëtare në Portugali, i kishin pranuar konfirmimet se temat e tyre kishin zgjuar interesimin e organizatorëve dhe ishin ftuar të marrin pjesë në konferencë. Konferenca kishte të bënte me baladat si zhanre të letërsisë gojore dhe rolin e tyre në lidhjen midis kulturave. Pranimi i dy shqiptarëve nga Kosova për të marrë pjesë në një konferencë të nivelit të tillë (ishte Konferenca e 41-të me radhë që mbahej për baladën ndërkombëtare), ku pjesëmarrës ishin studiues të huaj, të njohur nga mbarë Evropa e SHBA-ja, pikë së pari e tregonte nivelin akademik të studiuesve tanë nga Instituti, nivel ky që po mund t’i konkurruaka kolegëve në Evropë. Së dyti, e tregonte pranimin e studiuesve nga Kosova, të këtij shteti të ri, përkrah kolegëve nga shtetet e tjera, pa kurrfarë kufizimi, pra Kosova prezantohej denjësisht sikur edhe shtetet e tjera. Së treti, pjesëmarrja me kumtesa ku baladat shqiptare, si perla të folklorit, mateshin me baladat e folkloret e Ballkanit e të popujve të tjerë të Evropës, duke dëshmuar për autoktoninë dhe vlerat artistike që bartin, tregonin fuqishëm për traditën kulturore dhe lashtësinë e popullit shqiptar.
Por athua do të shihej kështu rëndësia e kësaj pjesëmarrjeje edhe nga zyrtarët e dikastereve të Ministrive të Kulturës e të Arsimit, si edhe të Komunës së Prishtinës, ku studiuesit kërkuan mjetet për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe pjesëmarrjes në konferencë? Personat përgjegjës në Drejtoratet për Kulturë, nga të cilët u kërkua nga një biletë udhëtimi dhe shpenzimet e akomodimit, shumë kjo që si e tërë kapte shifrën prej dy mijë eurosh, pos premtimeve boshe me pak shpresa nga disa dikastere, si edhe gënjeshtrës së vazhdueshme gati dy mujore se “do të shohim të bëjmë diçka” nga Drejtorati për Kulturë i Ministrisë së Kulturës, nuk dhanë gjë tjetër.
Studiuesit e rinj, nuk kishin kurrfarë lidhjeje familjare, miqësore, krahinore e partiake, as edhe lidhje interesash me zyrtarët për kulturë, dhe si duket, në anën tjetër, ishte Instituti Albanologjik prej nga ata vinin, për të cilin zyrtarët partiakë, kishin ngarkesa e paragjykime, të cilat nuk mundën t’i tejkalonin. Apo ndoshta i ruanin mjetet nga buxheti i shtetit, të dedikuara për investimin e zhvillimit të kulturës, për persona të tjerë me të cilët i lidhte ndonjë lidhje familjare a interes personal. Sido që të jetë, fakt është që ata (zyrtarët) nuk mundën t’i tejkalonin arsyet e veta jashtëkulturore, as atëherë kur qe në pyetje Kosova dhe prezantimi i vlerave të saj kulturore e shkencore në botë. Si duket këta njerëz harronin, apo edhe nuk e dinin, që buxheti i shtetit ndërtohet nga taksat e tatimpaguesve, dhe janë ata të parët që i meritojmë ato mjete për t’i shfrytëzuar në drejtim të zhvillimit të shtetit, apo siç ishte tani rasti me prezantimin e vlerave të kulturës në botë. Harrojnë gjithashtu se administrata e shtetit është aty për qytetarët e atij shteti, e jo e kundërta.
Në një kohë kur më shumë se kurrë duhet të jemi të kujdesshëm dhe të shfrytëzojmë mundësitë e këtilla, ne nuk mund të mendojmë në plane më të gjera kombëtare e shtetërore, ne nuk mund të tejkalojmë interesat dhe mesikinitetet. Përderisa në programin e konferencës munguan pjesëmarrësit dhe temat nga Kosova (ashtu si edhe ata nga Shqipëria), Serbia u prezantua me katër studiues dhe tema, Sllovenia me katër, Belgjika me tre, Gjermania me pesë, Finlanda me dy, Anglia me tre, Kanada me dy, Portugalia si nikoqire me shtatë, Turqia me dy, Japonia me një, Argjentina me një, Meksika me një, Hungaria me tre, SHBA-ja me tre, Ukraina, Polonia, Franca, Austria, Holanda, Spanja, Norvegjia, Afrika e Jugut, etj. A nuk do të ishte pjesëmarrja përkrah këtyre akademikëve dhe kulturave të popujve të botës, prezantimi më i mirë i Kosovës, i kulturës, arsimit dhe shkencës sonë? A nuk do të ishte kjo pjesëmarrje dhe të tjera të kësaj natyre, investimi më i drejtë dhe më i pakursyer, ndër të tjera edhe për të afirmuar dhe fuqizuar idenë e ekzistencës tonë si shtet në botë? Do të ishte sigurisht, por një gjë e tillë do të kufizohet përderisa përcaktohet prej mendjeve të kufizuara partiake e krahinariste të burokratëve tanë institucionalë. Përderisa e mohojmë veten, i mohojmë vlerat tona kulturore, nuk e njohim potencialin e kapacitetet tona, pse atëherë të na njohin të tjerët?
Rasti i sipërpërmendur sigurisht se është vetëm një nga dhjetëra a qindra raste ku zyrtarët e institucioneve shtetërore buxhetore i injorojnë përkrahjet financiare të iniciativave a projekteve me rëndësi dhe interes kombëtar e shtetëror, jo për mungesë vlere apo cilësie, por thjesht për injorancë, inate apo arsye tërësisht jashtinstitucionale, duke u fshehur prapa arsyetimit për mungesë mjetesh, përderisa të njëjtat institucione kur vie fundi i vitit raportojnë për suficit nga buxheti i pashfrytëzuar. Sigurisht se edhe ky shkrim i imi nuk do të jetë më shumë se zëri i dhjetëra e qindra të refuzuarve, të cilët nuk kanë ndonjë lidhje e njohje me zyrtarët e shtetit, dhe si i tillë do të mbetet zë i padëgjuar, por megjithatë le të mbetet i shënuar.