Site icon Telegrafi

Pse tani Rufi Osmani?

Për nga natyra jam i prirë gjithnjë të anojë kah partitë më radikale në Maqedoni, duke pasur parasysh faktin se sa më me kërkesa maksimaliste që del një parti në një shtet multinacional e multikonfesional, ka gjasa të realizojë më shumë objektiva në rrafshin politik.

Dalja në skenë e PPD-së menjëherë pas pluralizmit ngazëlleu çdo shqiptar. Ishte shpresë e madhe se kjo parti do ta rikthente sado pak dinjitetin e nëpërkëmbur nga komunistët maqedonas, të cilën nën Maqedoninë jugosllave mbyllën shkollat shqipe, rrënuan muret e shqiptarëve, burgosën e torturuan shumë shqiptarë etj. etj. Shpresa ishte se me demokratizimin e Maqedonisë gjërat do të ndryshonin për të mirë. Për fat të keq nga PPD-ja nuk doli ajo që pritej. Kreu i saj Nevzad Halili doli të ishte amator në politikë dhe nuk arriti t’i shtrëngojë dizgjinët. Partia kalëronte ngarkuar me dy hejbe: njëra e mbushur me kërkesa kombëtare e tjetra me apetite të sëmura karrieriste të anëtarëve të saj, e cila peshoi më shumë dhe mori anë, sinonim i së cilës u bë kryetari i mëpasëm i saj Abdurrahman Aliti.

Ndodhën shumë ngjarje të rënda antishqiptare, kurse kërcënime serioze nga partneri shqiptar i koalicionit nuk kishte. Mjaftoi një bombë-koment nga TVSH-ja për ta shkapërderdhur këtë parti të brishtë pothuajse ende pa u konsoliduar si e sa duhet.

Nga trungu i saj u shkëput fraksioni PPDSH i shndërruar më pas në parti me akronimin PDSH. Anën ideore e udhëhiqte Arbër Xhaferi (Marksi), kurse atë praktike Menduh Thaçi (Engelsi). Tandemi Xhaferi-Thaçi ishin një frymëzim për shumicën e pakënaqur shqiptare, ashtu siç ishin klasikët e dikurshëm socialist për klasën punëtore. Mu sikurse mësonin teoricienët e revolucionit proletar për mobilizimin dhe bashkimin e forcave të shtypura për mposhtjen e borgjezisë, po me aq pasion prijësit e partisë së re proklamonin zgjimin e ndjenjave kombëtare, duke i stimuluar ato edhe me këngë patriotike të Ilir Shaqirit dhe me ovacione ‘shqip e vetëm shqip’, me qëllim të zhbërjes së nomenklaturës së PPD-së.

Natyrshëm kjo strategji kishte efektin e vet dhe gradualisht kjo parti e plandosi përtokë PPD-në. Mjerisht më pas u dëshmua se sloganet u përdorën sa për hallo efekt parazgjedhor dhe nuk kishin ndonjë lidhje as më të vogël pragmatike aty ku duhej e pritej – në qeveri. Për fat të keq, në një linjë me PPD, edhe kjo parti nuk iu kërcënua asnjëherë partnerit të koalicionit me lëshimin e qeverisë: u kall a u shkrumbua në popull. Rrjedhimisht plasi lufta… Dhe… për këtë askush nuk mund të jetë më fajtor se sa partitë shqiptare në pushtet deri në 2001.

Lufta filloi në mënyrë difuze (Tetovë – Kumanovë) dhe konfuze (s’dihej realisht çfarë kërkohej: filloi për territor dhe përfundoi në insistimin konseguent për ruajtjen e integritetit territorial të Maqedonisë). Nëse krahasohet lufta e serbëve në Bosnjë dhe pozita e serbëve në Kosovë me humbjen, pozitën dhe përfitimin e shqiptarëve në Maqedoni, njeriu e ka vështirë a të qajë a të qesh, a në histeri t’i kombinojë së bashku të dyja.

Pas dhjetë vite të përfundimit të luftës një marrëveshje me garanci ndërkombëtare po zvarritet sa për gjynah. Sado zjarr tash të hedhin të tjerët dhe benzinë mbi të (p.sh: enciklopedia, kisha në kala etj.), ish-luftëtarët pozicionohen si katalizator, qetësues e stabilizues. Kjo rokadë paradoksale që transformoi ish-luftëtarët në qetësues e paqtues të devotshëm, kërkon analizë të thellë psikologjike dhe sociologjike. Ajo çka është faktike dhe shumë e qartë të konstatohet me argumente të pamohueshme është se pozita e shqiptarëve vazhdon të jetë e pavolitshme. Megjithëkëtë, Ali Ahmeti si personalitet dhe karizmë, me vokabularin dhe retorikën e tij, ka arritur t’i përshtatet mentalitetit të një pjese dërrmuese të popullit, simpatinë e të cilës pjesë e ka fituar falë stilit identik të ish-presidenti të ndjerë Ibrahim Rugova, duke sfiduar edhe luftën e dosjeve, të cilat ateronin si pjatat fluturuese në oborre të ndryshme.

Tani së fundi në skenën politike u riaktivizua një emër tashmë i njohur me të bëmat e tij. Është fjala për Rufi Osmanin, i cili në Gostivar arriti t’i mund BDI-në dhe PDSH-në. Tani, në prag të zgjedhjeve të parakohshme, ai doli me subjektin e tij politik. Janë disa arsye të cilat të shtyjnë të mendosh se Rufi Osmani dallon shumë nga liderët e partive tjera: as oponentët e tij të hapur nuk mund të spekulojnë për mundësinë e vënies së biografisë së tij në dyshim me qëllim komprometimi; ka provuar guximin e tij drejtpërdrejt – jo tërthorazi (ngjarjet e 1997 në Gostivar), ka bërë luftë briliante e të pakrahasueshme debatuese në kuvend gjersa ishte deputet, është i vetmi me ngritje intelektuale të një kalibri që i lë shumë larg liderët tjerë shqiptarë; Përkundër kësaj, ai ka kërkuar rreth vetes të ketë njerëz të dijshëm, për dallim nga të tjerët që madje edhe janë prononcuar se të dijshmit nuk u duhen se të dijshëm janë vetë, por u duhen duartrokitës.

Në të gjitha prononcimet e deritanishme të tij ka maturi – urtësi – mprehtësi e thellësi mendimi, është i ekuilibruar në deklarimet e tij për dallim nga deklaratat e të tjerëve që janë përplot kontradikta. Në pika të shkurta këto tipare janë sinjale të mjaftueshme për të dhënë motive shtesë për të shpresuar se dalja e tij në skenën politike, do të ndryshojë shumëçka. Pushteti maqedonas duhet ta dijë se me Rufiun s’do të mund ta luajë lojën e moçme ‘fluturon-fluturon bualli’. Shqiptarët duhet ta dinë se u ka mbetur edhe kjo kartë në dorë, nëse dinë ta shfrytëzojnë si duhet, si shpresë e vetme, mbase u provuan të gjitha të mundshmet. Filozofi antik Sokrati pohonte se e keqja është burim i mosdijes. Praktika e gjertanishme politike në Maqedoni e konfirmon më së miri këtë. Nuk e idealizoj nismën e re politike, sepse shumë gjëra varen edhe nga strukturat organizative. Mirëpo mendoj se me Rufiun, skena politike në Maqedoni, do të jetë krejtësisht ndryshe. Në qoftë se edhe paskëtaj s’do të ketë ndryshime, atëherë Zoti qoftë me ne e na ndihmoftë!

Exit mobile version