Site icon Telegrafi

Pse shumë demokratë po qëndrojnë me Joe Bidenin?

Ndërsa Joe Biden doli në skenë për një tubim në Detroit, Michigan, të premten në mbrëmje, një nga tubimet më të mëdha që është parë në vitet e fundit dhe në ngjarje u dëgjuan brohoritjet “Mos u dorëzo”.

Kandidati demokrat u ballafaqur me brohoritje ‘shurdhuese’ nga qindra mbështetës ndërsa u zotua se “unë po kandidoj dhe do të fitoj”, raporton bbc.

Teksa u largua nga skena, tingujt e hitit të Tom Pettyt, “I Won’t Back Down” (Unë nuk do të largohem ) mbuluan gjimnazin e shkollës së mesme, një kundërshtim ndaj listës në rritje të anëtarëve të zgjedhur të partisë së tij, duke e nxitur atë të tërhiqej mes shqetësimeve për moshën e tij.

Lexo po ashtu Biden nuk e ka ndërmend të dorëzohet: Unë po qëndroj dhe do të fitoj

Por, për të gjithë titujt e dominuar nga politikani, donatori apo aktori liberal më i fundit për t’iu kundërvënë Bidenit, një listë më e gjatë e demokratëve qëndron pranë tij.

Të paktën 80 politikanë demokratë e kanë mbështetur publikisht 81-vjeçarin dhe më shumë po i bashkohen atyre pasi ai këmbënguli se nuk po shkon askund, transmeton Telegrafi.

Për shumë njerëz, këmbëngulësia, parimet dhe fitorja në vitin 2020 ndaj Donald Trumpit do të thotë më shumë sesa dëmi i një performance të rrëmujshme në debat apo paraqitje publike, apo frika shëndetësore gjatë një mandati të ri katërvjeçar.

Në konferencën e parë të shtypit të vitit, Biden dha përgjigje të detajuara mbi NATO-n dhe planet e tij për një mandat të dytë, por shumë tituj u fokusuan në gafën, ku Donald Trumpit iu referua si “zëvendëspresidenti Trump” si dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky si “president Putin”.

Aleatët e tij – të paktën tani për tani – vlerësuan performancën e komandantit të përgjithshëm, i cili u ndoq drejtpërdrejt nga mbi 23 milionë njerëz – një audiencë më e madhe se Oscarët e këtij viti.

“Mendova se ai tregoi se është një komandantë i vërtetë i politikës së jashtme, vërtet e jashtëzakonshme”, u tha gazetarëve të premten guvernatori i Karolinës së Veriut, Roy Cooper. “Unë nuk mendoj se Donald Trump mund të flasë për politikën e jashtme në mënyrë koherente për një minutë”.

Gavin Newsom, guvernatori i Kalifornisë i shpallur si një pasardhës i mundshëm, i tha CBS se ai do të jepte gjithçka për Bidenin, duke shtuar se mes tyre “nuk kishte dritë dite”.

Lexo po ashtu Si mund të zëvendësohet Biden, sipas rregullave të demokratëve

Kongresmeni Brendan Boyle nga Pensilvania tha se Biden “tregoi se di një milion herë më shumë për politikën” sesa Trump, “i dënuar”.

Ekspertët thonë se këta politikanë kanë një sërë arsyesh për mbështetjen e tyre, duke përfshirë përvojën në politikë, fitoren në vitin 2020 kundër Trumpit dhe lojën për të vendosur një kandidat të ri aq afër zgjedhjeve të muajit nëntor.

“Presidenti e ka bërë të qartë se dëshiron të vazhdojë të kandidojë dhe mendoj se njerëzit po e respektojnë shumë këtë”, tha Simon Rosenberg, një strateg demokrat.

“Dhe është gjithashtu e vërtetë se në sistemin tonë, zëvendësimi i një kandidati për president kaq vonë është i vështirë dhe i paprecedentë dhe kështu ka një rezervë të madhe për të bërë një ndryshim të madh”, pohoi ai. Rosenber shtoi se kishte një “debat të shëndoshë” se kush duhet të jetë i nominuari.

Megjithatë, një sërë grupesh kanë thënë se kandidat duhet të jetë Biden, duke përfshirë grupin parlamentar hispanik të Kongresit, i cili ka rreth 40 anëtarë dhe grupin prej 60 kongresmenëve me ngjyrë të Kongresit, me të cilët Biden u takua në fillim të kësaj jave.

Ameshia Cross, ish-këshilltare e fushatës së Barack Obamës, tha se grupi i kongresmenëve me ngjyrë, si dhe shumë votues me ngjyrë e shohin Bidenin si një president të përkushtuar ndaj të drejtave civile, ndryshe nga rivali i tij, Trump.

“Ata e kuptojnë se çfarë është në rrezik me një presidencë të Donald J Trump”, tha ajo dhe shtoi se “ky është një djalë që ka qëndruar kundër DEI – diversitetit, barazisë dhe përpjekjeve për përfshirje”.

Biden ka marrë mbështetje publike nga disa politikanë në të majtë, duke përfshirë kongresmenen e New Yorkut, Alexandria Ocasio-Cortez dhe senatori Bernie Sanders nga Vermont, të cilët kanë kritikuar më parë Bidenin për një agjendë që ata kanë thënë se është shumë e moderuar.

Lexo po ashtu Nëse Biden largohet, çfarë ndodh me paratë e tij?

Cross tha se shumë e njohin rreziqet që sjell presidenca e Trumpit për të drejtat civile dhe LGBTQ si dhe ndryshimet klimatike.

“Këto janë gjëra që kanë rëndësi për të majtën progresive dhe presidenti në fakt ka punuar në ato gjëra”, tha ajo.

Deri më sot, shumica e mbështetjes së 81-vjeçarit vjen nga politikanët që konkurrojnë për rizgjedhje në qarqe të besueshme demokratike, në vend të atyre që shqetësohen se Biden mund të dëmtojë shanset e tyre për zgjedhje në mandate më të ashpra.

Rosenberg tha se Shtëpia e Bardhë “duhet të respektojë shqetësimet e tyre dhe t’i trajtojë ato, mendoj, në një mënyrë shumë më agresive”.

Edhe pse po rriten thirrjet që Bideni të largohet nga gara, sondazhi më i fundit duket se sugjeron se ai nuk ka humbur shumë mbështetjen e votuesve.

Fushata e Bidenit ka promovuar një sondazh nga Washington Post, ABC News dhe Ipsos të botuar këtë javë, i cili tregon atë dhe Trumpin në një situatë të pafavorshme, të ngjashme me rezultatet e sondazhit para debatit.

Por, sondazhi zbuloi gjithashtu se dy të tretat e amerikanëve duan që të tërhiqet Biden.

Presidenti ka humbur gjithashtu mbështetjen nga disa në mesin e elitës së Hollivudit. Aktorja Ashley Judd i bëri thirrje Bidenit të jepte dorëheqje, duke thënë se partisë i duhej një kandidat “i fortë”. Artikulli i saj në USA Today pasoi një opinion edhe më kritik këtë javë nga George Clooney për Bidenin.

Donatori shumëvjeçar demokrat, Whitney Tilson është mbledhësi i fundit i fondeve që ka hequr dorë nga Biden, duke i thënë BBC-së të premten se ai ishte gjithnjë e më i sigurt se 81-vjeçari do të largohej.

Lexo po ashtu Çfarë deklaruan liderët botërorë për performancën e Bidenit në samitin e NATO-s?

Donatorë të tjerë demokratë i thanë një grupi pro-Biden për mbledhjen e fondeve, Future Forward, se zotimet me vlerë rreth 90 milion dollarë (82.5 milionë euro) ishin në pritje derisa ai të largohej, raporton New York Times.

Donatorë të tjerë kryesorë, megjithatë, po qëndrojnë pranë presidentit.

Shekar Narasimhan, i cili ka organizuar mbledhje fondesh për demokratët për më shumë se dy dekada, tha se nuk kishte asnjë ndryshim në planet e tij.

“Sytë tanë mund të shohin se çfarë po ndodh, veshët tanë mund të dëgjojnë se çfarë po flitet, por ne po e mbajmë kokën ulur për të përfunduar punën. Presidenti mund ta marrë këtë vendim, nëse ai dëshiron të kandidojë apo jo”, tha ai dhe shtoi se “por, është më mirë që ky diskutim të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ai tha se mbështetja e tij për Bidenin vjen nga besimi se ai do të fitonte.

“Këto zgjedhje do të vendosen nga jo më shumë se 50 mijë vota në tre shtete – Michigan, Pensilvani dhe Wisconsin – dhe ne kemi infrastrukturën për të fituar atje”, tha ai.

Frank Islam, i cili është pjesë e Komitetit Kombëtar të Financave, tha se kishte planifikuar një mbledhje fondesh në shtëpinë e tij në Maryland. “Unë jam absolutisht duke ecur përpara me të sepse e di që Biden do të fitojë”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version