Site icon Telegrafi

Pse qumështi me çokollatë është i përkryer pas ushtrimeve

Nuk keni nevojë më të shpenzoni para për suplemente të shtrenjta pas ushtrimeve, po aq i efektshëm, por shumë më i shijshëm, është qumështi me çokollatë.

Studimet në Teksas kanë përcjellë një grup të sportistëve të cilët pas ushtrimeve në vend të suplementeve kanë përdorur vetëm qumësht me çokollatë dhe zbuluan se muskujt e tyre ishin më të theksuar dhe se ishin në një formë më të mirë se sa ata që kishin përdorur suplemente.

Nëse qumështi me çokollatë nuk është arsye e mjaftueshme për t’i filluar ushtrimet, atëherë nuk e dimë se çfarë është. Në vazhdim jua zbulojmë të gjitha përfitimet e qumështit me çokollatë.

I kompenson elektrolitet e humbura

Të gjithë ne djersitemi gjatë ushtrimeve, gjë që shkakton humbjen e elektroliteve, kripërave përgjegjëse për funksionimin normal të organizmit. Rezulton se qumështi shumë mirë i kompenson kripërat e humbura sepse dy elektrolitet më të rëndësishme, natriumi dhe kaliumi, fshihen në qumësht. Për shkak se qumështi mbahet më gjatë në trup se sa lëngjet e tjera, trupi ka më shumë kohë për t’i absorbuar këto elektrolite.

gettyimages

Shtimi i masës muskulore

Trajnimet e rezistencës me një gotë qumësht me çokollatë janë një formulë fitimtare për përmirësimin e rritjes së masës muskulore. Studimet kanë treguar se pirja e qumështit pas ushtrimeve rrit sintezën e muskujve gjë që rezulton në rritjen e qelizave të muskujve.

Përmban karbohidrate dhe proteina

Qumështi me çokollatë është një pije e përkryer pas ushtrimeve edhe për shkak të përqindjes së karbohidrateve dhe proteinave që përmban, të cilat ia mundësojnë trupit të shërohet më shpejt dhe në mënyrë më efektive pas ushtrimeve duke e vënë atë në gjendje të shkëlqyer deri në ushtrimin e ardhshëm. Studimet kanë treguar se qumështi i çokollatës përmban sasi dyfish më të madhe të karbohidrateve se qumështi i rregullt dhe pijet sportive, gjë që e përshpejton shërimin dhe rritjen e muskujve.

Ushqyesit e tjerë

Krahasuar me pijet e tjera sportive të cilat zakonisht pihen pas trajnimit, qumështi me çokollatë përmban më shumë kalcium dhe vitaminë D, të cilat janë me rëndësi të madhe, sidomos për atletët. Veç e veç ose së bashku, këta ushqyes janë shumë të dobishëm për organizmin tuaj. Ata i rrisin mundësitë sportive për shkak të ndikimit të tyre në eshtra dhe muskuj, ndërkohë që edhe lëndimet janë më të mundshme nëse ju mungon ndonjë nga këta ushqyes.

Kalciumi mbështet sistemin nervor dhe është i lidhur me lirimin e hormoneve ndërsa vitamina D është e rëndësishme për rregullimin e mineraleve të tjera në trup. Vetëm një gotë qumësht me çokollatë përmban gjysmën e dozës së rekomanduar të kalciumit dhe një të tretën e vitaminës D.

Përveç të gjitha këtyre vetive të shkëlqyeshme që i përmendëm, qumështi me çokollatë është shumë më i lirë se suplementet tradicionale të cilat përdoren zakonisht pas ushtrimeve që është edhe një arsye më shumë se pse duhet ta pini atë. /Telegrafi/

Exit mobile version