Site icon Telegrafi

Pse Putini nuk e do Clintonin? Sipas CNN, këto janë arsyet! (Video)

Nuk është vetëm Donald Trump, ai që medoemos kërkon që Hillary Clinton të mos bëhet presidente, por me republikanin në këtë kauzë duket se është bashkuar fuqishëm edhe Vladimir Putin.

Sipas një editoriali të publikuar nga CNN, presidenti rus i druhet faktit që ish-Sekretarja e Shtetit të marrë në duar postin më të lartë drejtues të Shteteve të Bashkuara.

Dëshmi e kësaj është rritja e sulmeve kibernetike të Rusisë ndaj serverave amerikane, vetëm për të minimizuar perspektivën presidenciale të Clintonit.

Kur “hacker”-at publikuan “e-mail”-et e Komitetit Kombëtar Demokrat, vetëm disa orë përpara Konventës së demokratëve, specialistët e sigurisë gjetën gjurmë të agjentëve rusë.

Kjo ka bërë që qeveria amerikane ta akuzojë publikisht Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane, e çdo shembull i ndërhyrjes deri më tani ka dëshmuar se ka vetëm një qëllim: të dëmtojë kandidaten demokrate Hillary Clinton.

Sipas editorialit, transmeton TCH, është e qartë përse Putin i frikësohet Clintonit. Shefi i Kremlinit e sheh atë si një kërcënim real të objektivave të tij. Për Putin, ndalja e Clintonit nga Zyra Ovale nuk është vetëm një objektiv i rëndësishëm strategjik, por gjithashtu personal.

Ai e konsideron ish-Sekretaren e Shtetit si një mbështetëse të opozitës ruse. Në vitin 2011, shefi i Kremlinit u përball me protestat më të mëdha që vendi ka parë, që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Ai ka shërbyer dy mandate si president, maksimumi i lejuar, e befasisht ka shfaqur ambicien për një mandat të tretë.

“Armiqësia personale” e Putinit me Clintonin përkon me qëllimet e tij më të mëdha strategjike. Vitin e fundit, ai ka ndryshuar tërësisht politikën e brendshme dhe të jashtme të Rusisë. Putin po sfidon SHBA-të, NATO-n dhe Bashkimin Europian në çdo hap. Pavarësisht se për momentin ka një ekonomi të tkurrur, Rusia po e përdor fuqinë e saj ushtarake për ta kthyer veten në një lojtar kyç në skenën botërore.

Exit mobile version