Site icon Telegrafi

Pse po zbrazet Lugina dhe Maqedonia shqiptare?

Pas liberalizimit të vizave për shtetasit e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi nga Bashkimi Evropian, që nga periudha e fundit të dhjetorit të vitit 2009 qytetarë e këtyre vendeve kanë vërshuar me të madhe shtetet Evropës perëndimore, por edhe më të largëta.

Nga BE-ja kjo ishte bërë për qëllim që këto të shtete të ndihmohen në lëvizjen e lirë të qytetarëve të vet dhe në mbështetje për të tejkaluar krizën ekonomike që kanë këto vende. Mirëpo, efektet e këtij “liberalizimi”, tashmë është duke i ndjerë edhe vetë Evropa, e cila vetëm nga 19 dhjetori kur kishte filluar aplikimi i tyre, këto vende po përballen me një numër të madh qytetarësh të këtyre vendeve. Derisa serbët, sllavo-maqedonasit dhe malazezët këtë benefit evropian janë duke e shfrytëzuar jashtë për t’u shkolluar, punësuar, ndonjë përfitimi ekonomik, apo edhe për interesa politike e sportive, shqiptarët e këtyre vendeve po shkojnë me shumicë në këto vende, kryesisht, ose për t’u strehuar, ose për një jetë më të mirë.

Nga burime të huaja njoftohet se nga dhjetori i vitit 2009 deri më tani nga Lugina e Preshevës për në shtetet e Evropës janë larguar rreth 10 mijë banorë shqiptarë. Vetëm gjatë periudhës së konfliktit 1999-2001 ishin larguar rreth 30 mijë shqiptarë. Kjo trevë shqiptare për dhjetë vjetët e fundit është pakësuar për rreth 40 mijë banorë shqiptarë. Ndërsa, në regjistrimin e fundit kishte rreth 70 mijë banorë shqiptarë, pra tashmë ky rajon rrezikohet të shpopullohet nga shqiptarët. Largimi i tyre për në shtetet e Evropës kryesisht bëhet për shkak të “krizës’ që ka ky rajon, pasigurisë individuale e kolektive, ndjekjes nga regjimi i Beogradit të pjesëmarrësve të luftërave të fundit, frikës së shpërthimit të ndonjë konflikti të ri, papunësisë së madhe, varfërisë, joperspektivës për të rinjtë dhe për shkaqe tjera. Shqiptarët e këtij rajoni janë duke shkuar më shumë në këto shtete: Belgjikë, Francë, Zvicër, Austri, Angli, Suedi, Norvegji, Danimarkë, etj. Shumica prej tyre shkojnë familjarisht dhe nuk mendojnë për një kthim të mëvonshëm. Nëse nuk ndalet ky hov i largimit të tyre ky vendbanim do të shndërrohet në oazë të forcave militariste serbe.

Ndërsa, nga Maqedonia shqiptare, po ashtu rreth 200 mijë shqiptarë kanë lëshuar vendin e tyre në kërkim të një jetë më të mirë. Derisa në Luginë “arsyet” e ikjes janë shënuar më lartë, në këtë vend kjo kryesisht bëhet për shkak të një kolapsi të vërtet ekonomik të këtij shteti dhe të një joperspektive të madhe. Politika e këtij vendi është shkaktari kryesor për largimin e tyre, sepse në vend që të krijojë kushte për një jetesë më të mirë për qytetarë e tyre, ajo një periudhë të gjatë nuk ka investuar asgjë, sidomos në vendbanimet shqiptare. Pas periudhës së luftës së vitit 2001 në këtë shtet gjendja ekonomike është keqësuar shumë. Shtresat e popullsisë kanë dallime të mëdha, kështu shtresa e të pasurve është shumë e vogël, ndërsa e mesmja nuk ekziston fare, kurse ajo e varfët është shumë e lartë. Nga ky vend pritet të largohen rreth 400 mijë shqiptarë për në shtetet e perëndimit, pra rreth gjysma e popullsisë shqiptare që jeton për momentin në Maqedoni.

Tragjikja është se politika e Luginës dhe Maqedonisë shqiptare deri më tani nuk i ka kushtuar vëmendje këtij problemi dhe askush nuk është marrë me të. Ky problem doli në shesh fill pas të ashtuquajtur “liberalizim të vizave”. Tani shtrohet pyetja, kush duhet të merret me këtë problem? Në dobi të kujt shkon zbrazja e këtyre vendbanimeve shqiptare? A kanë shqiptarët e këtyre vendeve një qëndrim unik për këtë problem? Çfarë do të ndodhë nesër me “liberalizmin e vizave” për qytetarë e Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët me padurim e presin një gjë të tillë? A do të ketë një ekzod të ri të popullit shqiptarë nëpër botë? Për këto dhe shumë dilema tjera duhet dhënë përgjigje politika shqiptare e këtyre vendeve, por deri më tani politika shqiptare nuk ka dhënë asgjë konkrete për përmirësimin e kushteve të popullit të vet. Kjo politikë ka pësuar një fiasko të madhe në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe zbutjes së problemit të varfërisë dhe papunësisë. Kjo çështje tani më ka marrë suaza të mëdha dhe mund të konsiderohet si gjenerator i krizave të ardhshme në këto vende. Politika shqiptare duhet të hartojë një plan të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik dhe zbutje së varfërisë, por edhe politika e BE-së duhet të japë kontribut të madh në këtë drejtim. Sepse, në të kundërtën kostoja e këtyre “dyndjeve” të popullsisë shqiptare nga trojet etnike dhe ikja e tyre nëpër vendet e huaja do të jetë shumë e madhe dhe e shtrenjtë. Andaj, politika shqiptare menjëherë duhet të vihet në lëvizje të zgjidhjes së këtij problemi sa nuk është bërë vonë!?

(Autori është publicist i pavarur)

Exit mobile version