Aksidentet rrugore me pasoja fatale janë një problem kompleks që lidhen kryesisht me faktorët njeri, rrugë dhe mjet.
Ekspertët nënvizojnë se faktori njeri ka peshën kryesore në këto incidente, ku sjellje të tilla si shpejtësia e tepërt, mosrespektimi i rregullave dhe shpërqendrimi kontribuojnë në rrezikun në rrugë.
Megjithatë, edhe faktorët që lidhen me infrastrukturën dhe automjetet luajnë rol të rëndësishëm.
Sipas Ylli Koshit, mungesa e mirëmbajtjes së rrugëve dhe sinjalistikës ndikon shumë në rritjen e rrezikut, sidomos në kthesat dhe urat e ndërtuara dekada më parë, kur volumi i trafikut ishte shumë më i ulët.
“Aksidentet në përgjithësi ndodhin nga tri faktorë kryesorë, është faktori njeri, pastaj faktori rrugë dhe faktori mjet.
Kuptohet që faktori njeri e mban për ligj e ka pjesën më të madhe prej përqindjes së lëshimeve por në këtë pjesë e prezantu ka një pjesë të madhe edhe faktori rrugë dhe mirëmbajtja e rrugës si dhe në fund është edhe faktori mjet, gjendja teknike e automjetit si shkaktarja e aksidentit të komunikacionit. Një gjë ndoshta më potencue se në lidhje me numrin e aksidenteve dhe me fatalitet është numrin më i vogël sesa viteve tjera, mirëpo duhet me ditë që ne në ditën e sotit, jemi tu jetu në një kohë të informacionit të shpejtë, ku merren mediat, përmes mediave informacionet e menjëhershme edhe në popullsi krijohet një përshtypje te rritjes së shumë të aksidenteve”, ka deklaruar Koshi.
Në këtë kontekst, inxhinieri Naser Morina thekson se infrastruktura e vjetër dhe mungesa e përditësimeve për të përballuar trafikun modern kanë krijuar pika të zeza që kërkojnë vëmendje të menjëhershme.
“Meqenëse rrugët e Kosovës, shumica e rrugëve të Kosovës janë ndërtuar viteve ‘65, ‘75, atëherë kur ka pasë komunikacion jashtëzakonisht të vogël, tash ndoshta 1000% është rritë ngarkesa e komunikacionit rrugor. Pak kanë faj organet shtetërore, pasi përveç në autostradë nuk kanë intervenu në rrugë dhe në lidhjen sidomos të rrugës me ura, kthesat ku janë të rrezikshme, ku janë pikat e zeza, qëto janë ato problemet kryesore”, ka deklaruar inxhinieri i ndërtimtarisë, Naser Morina.
Masa të tjera të përmendura për parandalimin e aksidenteve përfshijnë vendosjen e kamerave dhe rritjen e masave ndëshkuese.
Po ashtu, edukimi dhe sensibilizimi për rreziqet në rrugë janë të rëndësishme për të ndikuar në ndryshimin e sjelljes së drejtuesve të mjeteve.
Ndërhyrjet teknike dhe investimet e nevojshme për modernizimin e infrastrukturës, si dhe angazhimi i institucioneve për kontroll më të rreptë dhe përmirësim të sinjalistikës, janë faktorë kyç për të siguruar sigurinë në rrugë dhe për të zvogëluar numrin e aksidenteve me pasoja tragjike./Telegrafi/