Site icon Telegrafi

Pse po rreni, z. Kurtishi?!!

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila me Aktgjykimin e vet të fundit për heqjen e logos së Lidhjes Shqiptare nga emblema e KK të Prizrenit bërë një blasfemi të paparë kombëtare dhe luajti me krenarisë dhe dinjitetin nacional të mbi 90% të popullsisë shqiptare të Kosovës, tashti, vetë kryetari i kësaj Gjykate, por edhe disa gjykatës të saj, përmes kanaleve dhe kontakteve personale indirekte me disa personalitete dhe intelektual që reaguan ashpër për këtë çështje në opinion, po tentojnë t’ju bëjnë me dije se, Aktgjykimi në fjalë nuk ka të bëj fare me heqjen e logos së LSH nga emblema e kontestuar e KK të Prizrenit, por vetëm me plotësimin e saj tek emërtimi institucionit komunal në 3 gjuhë. Pra, pas gjithë kësaj rrëmuje që vetë e shkaktuan, po tentojnë që indirekt, “të lajnë m… me sh*rrë”.

Nga ana tjetër, pas një heshtje të gjatë rreth kësaj çështje, në një intervistë të shkurtër në një gazetë tonë ditore, u paraqit edhe vetë iniciuesi i kësaj procedure gjyqësore për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së emblemës komunale, boshnjaku, Qemal Kurtishi.
Edhe pse në atë intervistë, më tepër nga ai unë prisja që të kërkoj falje publike shumicës shqiptare, përkundrazi, “samuraji jonë i vetmuar” minoritar, edhe më tej guximshëm vazhdon që me gënjeshtra ta lajthisë opinionin e gjerë.

“Ne kemi kërkuar vetëm respektimin e shumëgjuhësisë, që simboli i Lidhjes së Prizrenit të rrethohet me fjalët komunë edhe në gjuhën turke e boshnjake dhe të hiqet viti 1878, për shkaqe teknike dhe praktike” – arsyetohet z. Kurtishi.
Më tej, në një pasus të po kësaj interviste, ai thotë:“Nuk i kuptoj akademikët dhe liderët që e komentojnë këtë çështje e nuk e kanë shqyrtuar esencën e problemit (sipas tij akademikët tanë na kokën naiv, v.a). Le ta lexojnë me kujdes Vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Aty gjërat janë të qarta. Lus opinionin prizrenas, kosovar dhe më gjerë të mos na vendosni në anën tjetër sepse ne i përkasim Prizrenit. Lidhja e Prizrenit është simbol i Prizrenit dhe edhe ne kështu e ndjejmë.”

Hajde po ju dëgjojmë, siç po kërkoni nga ne, dhe po e lexojmë me kujdes vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Z. Kurtishi! Aty vërtet gjërat janë të qarta, por jo ashtu sikur arsyetoheni ju në këtë intervistë. Andaj, po ju pyes: A thua, kush po na gënjen këtu, JU apo Gjykata Kushtetuese e Kosovës?!
Edhe më tej po vazhdojmë të lexojmë me vëmendje Aktgjykimin në fjalë, z. Kurtishi. Ja se çka thotë taksativisht në pikën 12 të hyrjes së arsyetimit të diapozitivit të tij: “Kërkesa e dorëzuar nga Z. Kurtishi thekson qe komunitetet jo-shumicë në atë kohë kishin propozuar qe fjalët "Komuna", "Opstina", "Belediye" te shkruhen brenda rrethit te emblemës. pa vitin "1878". duke simbolizuar kështu qe ka disa komunitete qe jetojnë në hapësirën e komunës, si dhe që Komuna është shumetnike….”

Sikur po shihet qartë, këtu askund nuk figuron se ju e keni kërkuar heqjen e vitit 1878 nga emblema kontestuese, për shkaqe teknike dhe praktike, sikur arsyetoheni tani, por se aty thoni se “këtu ka disa komunitete qe jetojnë ne hapësirën e komunës, si dhe Komuna është shumetnike”?!

Të shkojmë më tutje! Po aty si vazhdim thuhet: “Z. Kurtishi pretendon qe paraqitja dhe simboli i Lidhjes se Prizrenit lartëson identitetin e vetëm njërit komunitet ne Komunën e Prizrenit (!!?) Ai thekson se Lidhja e Prizrenit njeh vetëm rëndësinë kulturore-historike te komunitetit shqiptar, dhe qe emblema nuk ka elemente te cilat tregojnë komunitetet tjera qe jetojnë ne Komune. (këtë pretendoni ju në ankesë, a po?! Ai pretendon që emblema komunale duhet te simbolizojë dhe transmetojë porosinë e bashkëjetesës se komuniteteve dhe pjesëtareve te komuniteteve, si dhe praninë e etnive te shumta, kulturave te shumëfishta, fetë e shumta dhe gjuhet e shumta. Emblema, deklaron ai, (që domethënë JU, z. Kurtishi) nuk dërgon porosinë e shumetnicitetit në vetë hapësirat shumetnike siç janë atë te Komunës se Prizrenit”( ??!)

Pas gjitha këtyre kërkesave tuaja dhe me këso motive që i keni parashtruar gjatë inicimit të kësaj procedure, më tregoni, ju lutem: sa do të ishte e besueshme për mua dhe të tjerët çfarë ju tani në këtë intervistë deklaroni, e posaçërisht aty ku thoni se, gjoja, Lidhja e Prizrenit është simbol i Prizrenit dhe edhe ju kështu e ndjeni?!

Edhe përpos se kjo iniciativë tash për tash ka ndikuar mjaftë një zbehjen e marrëdhënieve tradicionalisht të mira ndëretnike në Prizren, ju garantoj juve dhe gjithë lakenjve dhe bashkëmendimtarëve tuaj, në krye edhe me EULEX-in, i cili, për ta arsyetuar prezencën e vetë të dështuar në Kosovë, mezi po pret diçka të tillë, askund mes shqiptarëve, e veçanërisht në Prizren, raportet e mira ndëretnike kurrsesi nuk ruhen dhe kultivohen përmes ligjeve dhe metodave tjera të imponuar represive në të cilat fare nuk shprehet dhe merret parasysh vullneti i shumicës.

Bashkëjetesa ndëretnike, ndërfetare dhe realiteti i prezencës së shumëllojshmëria kulturore në mes qytetarëve Prizrenas, por edhe të kosovar në përgjithësi, tradicionalisht janë ruajtur dhe kultivuar me sukses deri më sot, vetëm përmes dashurisë së ndërsjellët dhe të sinqertë të instaluar kaherë në traditën e psikologjisë sociale të sjelljes shekullore tolerante dhe shpirtit kolektiv human të këtij populli.
Kurrsesi ndryshe, z. Kurtishi!!!

Exit mobile version