Telegrafi

“Pse po më largohen ndjekësit?”: Trump takon drejtorin ekzekutiv të Twitter-it në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti amerikan, Donald Trump ka zhvilluar një takim me drejtorin ekzekutiv të Twitter, Jack Dorsey.

Dhe siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, një takim i tillë ka ndodhur vetëm disa orë pasi ai akuzoi kompaninë për të luajtur “lojëra politike” dhe “me numrin e ndjekësve” të tij.

Siç thuhet tutje, Trump e mirëpriti Dorseyn në Zyrën Ovale dhe ndau një mesazh pozitiv dhe foto të bisedës në Twitter.

“Takimi i madh këtë pasdite në Shtëpinë e Bardhë me Jack nga Twitter. Shumë tema diskutuam lidhur me platformën e tyre, dhe botën e mediave sociale në përgjithësi”, shkroi presidenti. “Shpresojmë të mbajmë një dialog të hapur!”

Ndërsa Dorsey pastaj u përgjigj: “Faleminderit për kohën. Twitter është këtu për të shërbyer në diskutimet publike, dhe ne synojmë ta bëjmë atë më të shëndetshëm dhe më civil. Faleminderit për diskutimin në lidhje me këtë”.

Por, siç raportojnë disa media të huaja, takimi i Trump me Dorsey u përqendrua kryesisht në ankesën e tij se Twitter kishte në “heshtje dhe qëllimisht” larguar disa prej ndjekësve të tij.

Presidenti thuhet gjithashtu se i tha Dorsey se ai kishte dëgjuar ankesa të ngjashme nga shokët e tjerë të konservatorë. /Telegrafi/